Ministrja Rizvanolli viziton kanalin Ibër-Lepenc: Rrjedha e ujit po funksionon, furnizimi për KEK-un u sigurua

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka vizituar kanalin e Ibër-Lepencit në Zubin Potok, pas sulmit të fundit terrorist.

Ajo ka deklaruar se rrjedha e ujit në kanalin e dëmtuar ka arritur kapacitetin prej 3,000 litra në sekondë, duke siguruar furnizimin e nevojshëm për ftohjen e termocentraleve të Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK).

“Rrjedha aktuale është e mjaftueshme për furnizimin e poçeve të KEK-ut për ftohje, ndërsa shpresojmë që së shpejti të fillojë edhe furnizimi i disa prej komunave me ujë,” deklaroi Rizvanolli nga Mitrovica.

Ministrja vizitoi gjithashtu autobotët e vendosur nga institucionet për furnizimin me ujë të qytetarëve në zonat e prekura. Autobotët janë vendosur në lokacione të ndryshme, përfshirë Mitrovicën e Veriut dhe Jugut, Zveçanin, Drenasin, Skenderajn dhe Fushë Kosovën.

“Kompanitë Rajonale të Ujësjellësit, Agjencia për Menaxhimin e Emergjencave dhe KEK kanë bashkëpunuar për të siguruar ujë të pijshëm për qytetarët derisa të zgjidhet përfundimisht problemi,” tha ajo.

Rizvanolli theksoi se situata do të monitorohet nga afër, me fokus të veçantë në sigurimin e ujit për funksionimin normal të termocentralit Kosova B dhe furnizimin e qytetarëve të prekur nga ndërprerjet. Ajo vlerësoi punën e inxhinierëve të Ibër-Lepencit dhe institucioneve të tjera për reagimin e shpejtë dhe efikas.

Derisa kryeministri Albin Kurti ka lavdëruar institucionet relevante për punën e tyre për të mos lënë keq qytetarët.