Mitrovica e Veriut ndan mbi 200 mijë euro për të prekurit nga vërshimet në janar

Komuna e Mitrovicës së Veriut ka njoftuar të shtunën se në gjashtë muajt e fundit të këtij viti, përmes mbështetjes direkte financiare me subvencione ka ndihmuar qindra qytetarë të Mitrovicës.

Sipas njoftimit komuna ka subvencionuar qytetarët e prekur nga vërshimet e janarit të këtij viti në vlerë prej 202.000.00 €.

Gjithashtu kjo komunë ka ndarë subvencione për 115 qytetarë në vlerë të përgjithshme prej 39,500.00 euro për të mbuluar shpenzimet e trajtimit mjekësore.

Tutje, thuhet se janë mbështetur familjet e fëmijëve të lindur në vitin 2023 në vlerë prej 5300 €.

“Programi i subvencioneve direkte për qytetarët do të vazhdojë edhe në muajt në vijim, me prioritet qytetarët që jetojnë në kushte të vështira ekonomike, si dhe ata me sëmundje kronike. Komuna e Mitrovicës Veriore mbetet e përkushtuar për punë të vazhdueshme dhe përkushtim për përmirësimin e shëndetit dhe mirëqenies së qytetarëve të saj”, thuhet në njoftim.