Modric: Anglia është njëra ndër favoritet për “Euro 2020”

Luka Modric ka vlerësuar lartë Kombëtaren e Anglisë.

Nesër do të përballen Anglia me Kroacinë në kuadër të “Euro 2020”, shkruan lajmi.net.

Kroacia në përballjet e fundit ka dalë fitimtare, ku në gjysmëfinale të Kampionatit Botëror e eliminoi Anglinë.

Por, ylli i skuadrës, Luka Modric beson se “Tre Luanët” kanë ndryshuar dhe janë më të mirë sesa ishin tri vite më parë, madje ai cilëson se ata janë favoritë për ta fituar Kampionatin Evropian “Euro 2020”.

“Për mua ata janë më të mirë sesa ishin tri vite më parë, nuk kam dyshim për këtë”, tha kroati.

“Nuk mund të them cili është lojtari më i mirë, sepse ata kanë lojtarë shumë të mirë dhe të uritur për sukses”, tha Modric.

“Për mua ata janë njëri ndër favoritët, luajnë në shtëpi dhe mendoj që ata janë favoritët për këtë Kampionat Evropian, kjo është deklarata ime që shpjegon të gjitha për Anglinë”, deklaroi Luka Modric.