Mogherini: Sulmi ndaj Idlibit do të prodhonte rezultate shkatërruese

Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian (BE) për Marrëdhënie të Jashtme dhe Politika të Sigurisë, Federica Mogherini, tha se një sulm i mundshëm në Idlib mund të prodhojë rezultate shkatërruese mbi popullatën tashmë të përvuajtur”, raporton Anadolu Agency (AA).

“Sulmi i mundshëm mbi Idlibin mund të prodhojë rezultate shkatërruese mbi popullatën e cila ka tashmë ka vuajtur mjaftueshëm. Duhet të bëjmë maksimumin këto javë për ta ndaluar atë”, u shpreh Mogherini në fjalën hapëse në Konferencën e Ambasadorëve të BE-së.

Mogherini po ashtu theksoi se tensionet Izrael-Palestinë, një tjetër problem i Lindjes së Mesme, janë rritur tutje, dhe se zgjidhje dyshtetërore po bëhet gjithnjë e më e vështirë.

Ndryshe, rreth katër milionë civilë në Idlib, kështjellën e fundit të opozitarëve në Siri, janë të shqetësuar nga një operacion i mundshëm i regjimit të Bashar al-Asadit dhe mbështetësve të tij.

Çdo konflikt që mund të ndodhë në këtë qytet strategjik ka mundësinë të shkaktojë një valë të madhe migrimi në drejtim të Turqisë dhe Evropës.