Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Molotovët “Made in Berisha” te ish-vila e Enverit, Rama nxehet keq

Molotovët “Made in Berisha” te ish-vila e Enverit, Rama nxehet keq

Molotovët “Made in Berisha” te ish-vila e Enverit, Rama nxehet keq

Një vendim i beftë është marrë nga kryeministri Edi Rama, vetëm 24 orë pas protestës së tensionuar të mbajtur në Tiranë, ku u vu në rrezik jeta dhe siguria e disa artistëve te ish-vila e Enverit në ish-Bllok.

Burime për mediat bëjnë me dije se kreu i qeverisë ka urdhëruar shkarkimin e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Ilir Prodës.

Vendimi vjen pas kritikave të forta mbi menaxhimin e situatës gjatë protestës së opozitës, ku sipas raportimeve nuk u garantua siguria e plotë e qytetarëve dhe objekteve të rëndësishme.

Vendimi për largimin e Prodës është ekzekutuar menjëherë, ndërsa në vend të tij është komanduar zëvendësi, Sokol Bizhga, i cili do të drejtojë përkohësisht institucionin deri në një emërim të ri përfundimtar. Po ashtu, mësohet se është shkarkuar edhe Drejtori i Policisë së Tiranës, Elton Alushi.

Mbrëmjen e së shtunës, tensionet kulmuan kur protestues të udhëhequr nga Sali Berisha qëlluan me breshëri molotovësh dhe fishekzjarrësh drejt vilës së ish-diktatorit Enver Hoxha. Brenda ambienteve të kësaj godine ndodheshin rreth dhjetë persona, mes tyre artistë dhe anëtarë të stafit, të cilët u përballën me momente paniku dhe rreziku për jetën.

Të dielën paraditë, aty ishte Rama, i cili bëri një deklarim të ashpër mbi Berishën.

“Sapo dola nga rezidenca e artistëve në ish-shtëpinë e diktatorit, ku prej kohësh tanimë fondacioni prestigjoz Art Explora mikpret të rinj të talentuar nga Shqipëria, Kosova e mbarë bota, të cilët i gjeta të traumatizuar nga çmenduria e barbarisë së mbrëmshme.

Një sulm i verbër i një grushti të verbërish të paguar për të frikësuar qytetin dhe njollosur Shqipërinë, nën udhëheqjen e një ligësire kriminale tetëdhjetë e kusur vjeçare, që mban nga pas ca hunj gardhi me status deputeti, e që vjen vërdallë si i marri i lagjes nëpër Tiranë, ndërkohë që s’ia var më thuajse askush!

Gjykatësit që i lirojnë këta zjarrvënës të rrezikshëm, sa herë arrestohen nga policia janë bashkëpërgjegjës për këto vandalizma të pandodhura askund në Europë me bekimin e nën hyqmin e një partie parlamentare, në selinë e të cilës nuk flitet për ide e programe, po bëhen vetëm plane dhune dhe bomba artizanale!

Turp për çdo gjykatës që rinxjerr në rrugë këta keqbërës të Shqipërisë dhe turp për qeverisjen e gjyqësorit që rri e vështron sikur Shqipëria nuk është edhe atdheu i saj!”