Kryeministri polak, Mateusz Morawiecki i tha një gazete franceze se Vladimir Putin i shpalli luftë jo vetëm Ukrainës, por gjithë Perëndimit, ndërkohë që bëri thirrje për më shumë armë në Evropë.
”Rusia duhet të shkëputet nga sistemet informatike dhe financiare”, theksoi ai.
”Sulmi kafshëror i Putinit ndaj Ukrainës nuk la vend për iluzione”, shkroi Morawiecki duke shtuar se ”arkitektura transatlantike e sigurisë mund të shkatërrohet nga tanket ruse”.
“Është Ukraina që digjet sot. Por, nesër mund të jenë shtëpitë tona”, tha kryeministri polak, duke shtuar se si Evropa ashtu edhe e gjithë bota nuk iu përgjigjën në mënyrë adekuate agresionit rus, në 2008 dhe 2014, si dhe vrasjeve të Litvinenkos në 2006 si dhe sulmit kimik ndaj Sergei Skripalit në 2018.
“Sanksionet e ashpra të vendosura në zemër të sistemit ekonomik dhe energjetik rus janë e vetmja rrugëdalje”, shkroi Morawiecki.
Kryeministri polak tha gjithashtu se ”Evropa duhet të përshpejtojë armët menjëherë dhe të forcojë krahun lindor të NATO-s pasi potenciali ynë parandalues nuk është i mjaftueshëm për momentin”.
Sipas Morawieckit, Rusia duhet të privohet gjithashtu nga burimet e financimit për armatimet, ndërsa Evropa duhet të bëhet e pavarur nga lëndët e para të importuara nga Rusia.
Ai tha gjithashtu se institucionet financiare ruse dhe oligarkët rusë duhet të privohen nga të gjitha privilegjet. /atsh



