Sa herë që rriten sfidat e realitetit islam bashkëkohor, shihet në disa segmente të komunitetit musliman një fokus i shtuar tek diskurset si: “Jemi në fund të botës”, “Kijameti është afër”, “Shenjat e fundit kanë dalë”, “Mahdiu i pritur po vjen” etj.
Ky interpretim përfaqëson një lloj “kërkimi për shpresë mbinatyrore ose shpëtim të përcaktuar”, i përdorur si mënyrë për të kompensuar psikikisht dhe për t’u larguar nga barrët e realitetit.
Në psikologji, ky lloj mendimi njihet si “shpëtim me përfaqësim” (proxy salvation), ku shpresa lidhet me ardhjen e një shpëtimtari që të japë fund “pafuqisë kolektive” në mënyrë të menjëhershme.
Kështu, logjika, arsyeja dhe shkenca nuk kanë më vend, dhe qëllimi bëhet thjesht një “shpërthim emocional”, as më shumë e as më pak.
Në mungesë të “arsyes shkencore” dhe “mendimit kritik”, feja shndërrohet në “horoskop fetar” ose “kinema e së ardhmes”, duke mbajtur njeriun në “gjendje pritjeje të përhershme”, në vend që të jetë një “projekt praktik dhe i hapur ndaj së ardhmes”.
Në këtë rast, feja reduktohet në “tregime për fundin e botës”, ndërsa në thelb ajo është një “projekt themelues për rilindje dhe veprim”. Feja është një projekt që ende nuk ka përfunduar ciklin e vet, dhe mesazhi nuk është fund, por fillim. Për këtë arsye, realizimi i drejtësisë dhe përhapja e mëshirës në tokë kërkon përpjekje të gjata dhe akumulim të vazhdueshëm.
Ndërkohë që kombet luftojnë për të ndërtuar të ardhmen e tyre, ne shpesh gjendemi në “rreshta pritjeje”, të kapur nga “iluzioni i shpëtimit të shtyrë”.
Përfundimi: qëndroni larg fallxhorëve, edhe nëse veshin petkun e fesë, sepse ata janë thjesht “shitës ëndrrash”, asgjë më shumë e as më pak.
I frymëzuar nga Prof. Xhasimi
Hoxhë Halil Avdulli









