Ballina Lajmet Kosovë Moska i ofron strehim udhëheqësit të grupit serb të dyshuar për incidentet...

Moska i ofron strehim udhëheqësit të grupit serb të dyshuar për incidentet në Paris e Berlin

Një shtetas serb, i identifikuar si Momcilo Gajiq, i dyshuar si organizator i një grupi që ka shkaktuar incidente raciste në Paris dhe Berlin gjatë vitit 2025, raportohet se po qëndron në Moskë.

Sipas një hulumtimi të Radio Evropa e Lirë, Gajiq është parë në janar 2026 në kishën “Shën Pjetri dhe Pali” në Moskë, e cila shërben si përfaqësi e Kishës Ortodokse Serbe në Rusi. Në fotografitë e publikuara, ai shfaqet në një rol qendror gjatë ceremonisë fetare.

Gajiq dyshohet nga drejtësia serbe se ka organizuar një seri sulmesh me motive raciste ndaj komuniteteve hebraike dhe myslimane në Francë dhe Gjermani. Ai arriti t’i shmanget arrestimit, ndryshe nga 11 anëtarë të grupit që u ndaluan në Serbi në shtator 2025.

Sipas dokumenteve gjyqësore, ai kishte lidhje të ngushta me shërbimet ruse të inteligjencës dhe vepronte sipas udhëzimeve të tyre. Tre anëtarë të grupit kanë pranuar fajësinë dhe janë dënuar për spiunazh dhe nxitje të urrejtjes racore.

Grupi kishte kryer disa akte vandalizmi, përfshirë: hedhjen e bojës në Muzeun e Holokaustit dhe në sinagoga në Paris, vendosjen e kokave të derrit para xhamive si dhe instalimin e skeleteve pranë memorialeve hebraike në Berlin

Ende nuk dihet nëse për Gajiq është shpallur urdhër-arrest ndërkombëtar.

Hetimet tregojnë se ai kishte organizuar dhe financuar aktivitetet e grupit, duke u paguar pjesëmarrësve nga 500 deri në 1,500 euro për aksionet. Ai njihet edhe me nofkën “Kaludjer”.

Në ndërkohë, prania e tij në Moskë dhe lidhjet me strukturat fetare dhe individë të lidhur me Rusinë kanë ngritur pyetje shtesë për rolin dhe mbështetjen që mund të ketë pasur.

Autoritetet në Serbi dhe Francë nuk kanë dhënë ende përgjigje të detajuara mbi ecurinë e hetimeve.