Mozambik, rritet numri i viktimave nga epidemia e kolerës

Numri i personave që humbën jetën nga epidemia e kolerës në Mozambik është rritur në 37, transmeton Anadolu.

Ministri i Shëndetësisë së Mozambikut, Armindo Tiago njoftoi se që nga fillimi i vitit numri i personave që humbën jetën për shkak të epidemisë u rrit në 37.

Duke thënë se deri tani kanë zbuluar mbi 5 mijë raste, Tiago tha se kanë siguruar vaksinë për të luftuar epideminë e kolerës dhe se këtë javë do të nisin fushatën e vaksinimit.

Ai theksoi se synojnë të vaksinojnë 700 mijë njerëz në të gjithë vendin.

Rastet e kolerës, të cilat prej vitesh kanë shënuar rënie falë masave të institucioneve shëndetësore dhe qeverive në botë, kanë filluar të shtohen sërish për arsye si ndryshimet klimatike, varfëria dhe konfliktet.

Sipas të dhënave të Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), ndërsa numri i vendeve me raste të kolerës në mbarë botën nga viti 2017 deri në vitin 2021 ishte nën 20. Në vitin 2022 në 26 vende janë regjistruar epidemi të kolerës.