Mjekët pa Kufij (MSF) kanë paralajmëruar se foshnjat dhe fëmijët në Rripin e Gazës po humbin jetën për shkak të motit të ashpër dimëror dhe mungesës së strehimit e ndihmave bazë, të bllokuara nga Izraeli.
Sipas MSF, një foshnjë 29-ditëshe e lindur para kohe, Said Asad Abedin, ka vdekur nga hipotermia e rëndë në Khan Younis. Deri të enjten, numri i viktimave nga moti ekstrem ka arritur në 13, përfshirë edhe një foshnjë dyjavëshe, Mohammed Khalil Abu al-Khair.
Mjekët në Spitalin Nasser paralajmërojnë se hipotermia është shumë e rrezikshme për foshnjat dhe se pa ngrohje, strehim të përshtatshëm dhe ndihma emergjente, numri i vdekjeve pritet të rritet. MSF thekson gjithashtu rritjen e infeksioneve respiratore, veçanërisht te fëmijët nën pesë vjeç.
Organizata i bën thirrje autoriteteve izraelite të lejojnë urgjentisht rritjen masive të ndihmave humanitare në Gaza, ndërsa qindra mijëra palestinezë vazhdojnë të jetojnë në tenda të përmbytura dhe të dëmtuara nga stuhitë. /mesazhi








