Muhamedi a.s., shëmbëlltyrë e papërsëritshme

Hoxhë Isa Tërshani

Nuk ka dyshim se i Dërguari i Allahut, Muhamedi a.s. ishte dhe do të mbetet kandil ndriçues, i cili ua ndriçon rrugën të gjithë atyre që duan ta njohin personalitetin e tij dhe ta ndjekin rrugën e tij. Ai gëzonte të gjitha tiparet fisnike e morale, të cilat si veçori ia kishte dhuruar vetë Zoti xh.sh.. Lidhur me këtë, Allahu xh.sh. në Kuran ka thënë: “Ju e kishit shembullin më të lartë në të dërguarin e Allahut…” (El Ahzab, 21)
Shëmbëlltyra dhe veprimtaria e të Dërguarit të Allahut a.s. duhet të jenë tipare të pandashme të sjelljeve dhe përditshmërisë sonë, apo thënë ndryshe, shëmbëlltyra e tij duhet të jetë pasqyrë, ku çdo mysliman do të bëjë krahasimin e jetës dhe veprimtarisë së tij nëse janë në përputhje me sjelljet dhe veprat e tij. Ndjekja e hapave të Muhamedit a.s. duhet të jetë pjesë e kulturës dhe përditshmërisë sonë, e kjo nënkupton që syneti-praktika e tij të jetë themel mbi të cilën ngritën veprimet tona.
Shëmbëlltyra e tij duhet të jetë prezentë në çdo pore të jetës sonë, në jetën dhe përditshmërinë tonë, në tryezat dhe ndejat tona, në transaksionet dhe sjelljet tona. Kjo nënkupton që të gjitha veprimet tona duhet të bëhen në përputhje me atë që ka porositur i Dërguari i Allahut xh.sh..(1)
Është një e vërtetë e pamohueshme se admirimi i personalitetit dhe karakterit të një njeriu të dashur, si dhe përpjekja për ta imituar atë, është një prirje e natyrshme e bashkëlindur. Prandaj për njeriun, gjetja e modeleve të përkryera dhe mundësia për të ecur në gjurmët e tyre është një intuitë jashtëzakonisht me rëndësi me të cilën pothuajse edhe lindim. Për këtë arsye, Zoti i Madhërishëm, me mirësinë dhe bujarinë e Tij të pafundme, jo vetëm që i ka zbritur njeriut librat, por Ai i dërgoi edhe pejgamberët, të cilët ishin shprehja e gjallë e atyre librave. Pra i ka dërguar personalitete shembullore që të paraqesin përsosmërinë e qëndrimeve dhe sjelljeve fetare dhe etiko-morale.(2)
Përgjatë jetës së tij 63 vjeçare sa jetoi Muhamedi a.s., ai më shumë përjetoi momente të vështira e me vuajtje, se sa momente të këndshme. Ai ishte jetim, ishte bari, ishte punëtor krahu, për ta siguruar kafshatën e gojës. I pakënaqur me besimin e popullit të tij, i urryer për shkak të besimit të drejtë që proklamonte, i lëçitur e bojkotuar për shkak të vlerave që i përcolli tek ata. Atij i vdiqën madje të gjithë djemtë e tij. Është gjuajtur me gurë, ka jetuar si muhaxhir, i syrgjynosur, i helmuar, por mbi të gjitha dhe krejt në fund, ai doli me ndihmën e Zotit të tij fitimtar i pakrahasuar. Pejgamberi a.s., e dëgjonte çdonjërin kur fliste, dhe nuk e ndërpriste, derisa bashkëbiseduesi vetë nuk heshtte. Të pambrojturit i ndihmonte, të pastrehët i strehonte, të uriturit i ushqente, sekretet i mbante në fshehtësi, ndërsa të paditurit i mësonte. Ai ishte i qetë kur të tjerët i kaplonte paniku dhe ishte plot dashuri kur të tjerët urrenin. Me të paedukuarit sillej me shumë dashamirësi. Pra, ai ishte njeriu, që ishte i matur në të gjitha gjërat.
Në namaz e gjente kënaqësinë dhe mbështetjen. Nga frikë respekti, zëri i dridhej përpara Zotit, kurse, kur njerëzit i udhëhiqte në namaz, preferonte gjithmonë të lexonte sure të shkurtra. Në rast se dëgjonte ndonjë zë fëmije, namazin e ndërpriste dhe shikonte se si t’i ndihmojë atij. Kur nipërit i hipnin mbi shpinë, teksa bënte sexhdenë, ai nuk lëvizte nga pozita, gjersa ata të kënaqeshin dhe largoheshin vetë. Kur lexonte nga Kurani, lexonte sipas llojeve të ndryshme të leximeve, me qëllim që t’i kënaqte edhe shokët e tij, të cilët vinin nga fise me dialekte të ndryshme. Falej edhe pas mesnate, herë më shumë e herë më pak. Kur lexonte ajetet që tregojnë për mëshirën e Allahut xh.sh., ndalej dhe lutej për t’u mëshiruar, e kur lexonte nga ajetet që tregojnë hidhërimin dhe dënimin e Tij, ndalej dhe lutej për të shpëtuar prej tyre.
Muhamedi a.s., asnjëherë nuk lëshohej në thashetheme. Ai fliste këndshëm dhe qetë, me përjashtim vetëm kur mbante hytben. Zërin e kishte melodik dhe tërheqës. Fliste vetëm sipas nevojës, dhe nuk lëshohej në “thashë e thënë”. Ai gjithmonë e fliste vetëm të vërtetën, si dhe shpesh dëshironte të dëgjonte. Ai ishte modest, buzëqeshte, mirëpo kurrë nuk ia jepte të qeshurës me të madhe. Kur ishte i pa humor, kjo vërehej shumë shpejt në fytyrën e tij. Ai asnjëherë, kundër asnjë qenie të gjallë, nuk e ka ngritur dorën, përveç kur ka qenë i urdhëruar me Shpallje. Në momentet më të vështira ishte i guximshëm dhe i vendosur. Gjithmonë solidarizohej me shokët (sahabët) e vet. Ai hante kur hanin ata, si dhe flinte, kur flinin ata. Kur hante, nuk dëshironte të ngopej, e në mënyrë të veçantë i shmangej teprimit. Ai nuk kishte dëshirë të hante i vetëm. Nga ushqimet preferonte qumështin, hurmat dhe mjaltin. Zakonisht vishej sikur edhe shokët e vet. Me asgjë nuk dallohej prej tyre. Me një fjalë, historia nuk ka shënuar të ketë pasur ndonjë njeri sikur ai. Ai gjithmonë kujdesej për rrethin ku jetonte, si dhe nuk e donte prishjen e raporteve. Ai e ruante ambientin, bimët dhe shtazët, ndërkohë që këtë traditë ua sugjeronte edhe të tjerëve.
Pejgamberi ynë, na donte neve më shumë sesa prindërit tanë. Ai gjithmonë mendonte edhe për ata që do të vijnë pas tij, sepse ishte një vizionar shumë i madh. Të gjithë të dërguarit e mëparshëm e lutën Allahun e Madhëruar për realizimin e disa prej nevojave të popujve të tyre, kurse Muhamedi a.s., lutjen e tij, e la për Ditën e Gjykimit, kur do të lutet për umetin e vet. Pra, ai do të lutet për ne, që ne të na mëshirojë e të na falë Allahu, xh.sh.. Askush nuk mund të pretendojë se e do Pejgamberin a.s., gjersa ai nuk konsiderohet më i dashur për të, madje edhe më tepër sesa prindërit, bashkëshortja/i, fëmijët, madje edhe më tepër sesa vetja. Ta duash Pejgamberin a.s., në të vërtetë do të thotë ta njohësh atë dhe t’ia zbatosh porositë.
Pejgamberi a.s., ishte mishërim i përsosur i Kuranit famëlartë. Gruaja e tij, Aisheja, r.a., e kishte përshkruar si “Kurani i cili ecë mbi tokë”. Ndërsa vetë Kurani famëlartë, për të thotë që është “rahmetun lil alemin”- mëshirë për të gjithë botët, “usvetun haseneh”- shembulli më i mirë, dhe “ala hulukin adhim” i krijuar me moralin më të përsosur. Ishte nga më të devotshmit, mirëpo njëkohësisht, e kuptonte edhe se të gjithë njerëzit janë në gjendje të barabartë për t’i zgjeruar kufijtë e njohjes dhe të devotshmërisë.
Se sa ishte tolerant dhe i butë ndaj të paditurve, flet edhe rasti i njërit nga beduinët, i cili kishte urinuar në xhami. Disa shokë të tij (sahabë) kishin filluar që ta kritikonin atë beduinin dhe kishin kërkuar që të dënohej, por Pejgamberi ynë i dashur, me butësinë e tij, kishte insistuar që të mos pengohej beduini derisa ta mbaronte, e më pastaj, vetë e kishte pastruar vendin e papastër. Pas kësaj, e këshilloi beduinin se gjërat e këtilla nuk lejohen të veprohen në xhami.
Pejgamberi a.s., shtëpinë e kishte të ndërtuar nga thuprat dhe balta, ndërsa hapësira e dhomave ishte aq sa mezi kishin mundësi të qëndronin dy vetë. Ai flinte në një lëkurë të fortë, ashtu që, shenjat e rrjepjes së lëkurës, i vëreheshin në trup. Ai, a.s., i dëgjonte me vëmendje bashkëshortet dhe shokët e tij, dhe nuk e kishte zakon që të pohonte se dinte më tepër se ta në çështjet që i përkisnin kësaj bote. Ai ishte një shembull i përkryer se si duhet jetuar, dhe jo vetëm për myslimanët, por edhe për tërë njerëzimin.
Së këndejmi, nga kjo që u tha mund të konkludojmë se karakteri shembullor, sjellja dhe morali i të Dërguarit të Allahut, a.s., i ngjanë një oqeani të pafund. Ai i zotëronte të gjitha cilësitë dhe virtytet dalluese, të njohura dhe të panjohura, të të gjithë pejgamberëve që erdhën para tij dhe përfaqësojnë mishërimin e karakterit dhe cilësive fisnike. Vetë Allahu xh.sh., e ka cilësuar Muhamedin a.s., duke thënë: “Vërtet, ti je me një shkallë të lartë të moralit.”(3) Ndërsa Muhamedi a.s., kur është pyetur për qëllimin e dërgimit ka thënë: “Unë jam dërguar për të përsosur virtytet e larta morale!”(4)
Nëse sot do të takoheshim me Pejgamberin a.s., a do të kishte mundësi ai që te ne, të dallonte shenjat se jemi pasuesit e tij? Andaj, le të mundohemi ta pasojmë Pejgamberin tonë, Muhamedin a.s., që nesër në ditën e Gjykimit të jemi nën flamurin e tij.

_________________________
1 Bashkim Aliu., “Mozaiku Islam”, Shkup, 2014, f.75.
2 Doç.dr. Omer Çelik, dr. Mustafa Ozturk, Murat Kaja, “Personaliteti
shembullor”, vëllimi l., përktheu: dr. Mithat Hoxha. Shkodër, 2010, f. 17.
3 El-Kalem, 4.
4 Buhariu, 273. Ahmedi, 8939.

Nga: Isa Tershani