Muhamedi a.s. u dërgua për bashkim e unitet, e jo për përçarje e ndarje.

Prof. Adnan Simnica

Muhamedi a.s. u dërgua për bashkim e unitet, e jo për përçarje e ndarje.

Ai u dërgua mëshirë për mbarë njerëzimin, e paramendojeni sa mëshirë është për myslimanët?!

Ai u dërgua shëmbëlltyrë morale, e virtyteve dhe e çdo mirësie, madje edhe myzhdedhënës e pishtar ndriçues.

Ai u dërgua për shpëtim, frymëzim, mirëkuptim, si dhe dashuri mes besimtarëve.

Kujtimi e praktikimi i misionit dhe sakrificës së tij dhe çdo gjëje frymëzuese prej tij është reflektim e mësim.

Atij dhe pejgamberëve të tjerë a.s., Allahu xh.sh. u dërgon bekime e mëshirë në vazhdimësi, prandaj edhe prej nesh kërkoi t’u dërgojmë salavate e selame në përditshmëri.

Shihni jobesimtarët se si nga asgjëja tentojnë të sajojnë shumë herë edhe personalitete të paqena dhe t’i përkujtojnë ata, madje edhe të atillë ekzistues që i ekzagjerojnë edhe “cikrrimet” rreth tyre me qëllim të frymëzimit e dominimit, kurse ne, e kemi personalitetin pejgamberik të gatshëm e të vërtetë, shëmbëlltyrë të pakrahasueshme për çdo mirësi, prandaj si mos ta kujtojmë e zbatojmë shpirtërisht e praktikisht çdo histori frymëzuese të tij?!

Besimtarë, Zoti i Madhëruar dëshmoi:
“(O Muhamed) nuk të kemi dërguar ty, përveçse mëshirë për të gjitha botët”
(Kuran, El Enbija: 107)

O Muhamed a.s., bekimet (salavatet e selamet) tona qofshin për ty që nga dita e lindjes, misioni me plot sakrifica, shëmbëlltyra plot frymëzim, kalimi në botën tjetër, e deri në takimin tonë në Xhenet me meshirën e Allahut xh.sh..

Zot, na mëshiro të gjithëve,

AMIN!

Nga: Prof. Adnan Simnica