Murtaja planetare dhe vagabondët e historisë

Salajdin Salhu

Çlirimi nga komunizmi nënkupton ndalimin e simboleve të sistemit shtetëror komunist, i cili e përjashtoi pluralitetin e mendimeve, ideve, vizioneve dhe i dënoi mizorisht kundërshtarët e tij, e depersonalizoi njeriun, e dëmtoi shpirtin e tij, e luftoi të vërtetën dhe e stimuloi hipokrizinë. Çlirimi nga komunizmi nënkupton ndërrimin e emrave të rrugëve, shesheve, institucioneve publike dhe moslejimin e teksteve shkollore me frymë nga kjo ideologji.

Shkruan: Salajdin SALIHU, Tetovë

Mendimtari nga Manastiri, Tajar Zavalani (1903-1966) në fillim u infektua nga idetë komuniste. Ai studioi pak kohë edhe në Rusi. Aty iu pushkatua i vëllai, pas ngjarjeve kundër regjimit stalinist në Saratov, më 1937-38. Vrasja e vëllait e bëri Zavalanin antikomunist të përbetuar.

Tajari ishte i biri i Feim Zavalanit, drejtues i gazetës “Bashkimi i kombit” të Manastirit (1907 – 1908). Në vitet e ’30-ta të shekullit XX ai punoi si gazetar, përkthyes dhe si zyrtar në ministrinë e Jashtme. Kur Shqipëria u pushtua nga Italia fashiste, Tajar Zavalani emigroi në Londër, ku punoi 26 vjet në BBC. Në këtë medium i komentoi zhvillimet në Shqipërinë komuniste, i bindur se shteti shqiptar një ditë do të çlirohej nga diktatura. Në Londër e botoi edhe librin Histori e Shqipnis, si reagim kundër interpretimit komunist të historisë.

Nëse për Branko Merxhanin komunistët ishin “vagabondë të historisë”, për Zavalanin komunizmi ishte “murtajë planetare”, që e shkatërronte shpirtin e njeriut. Për këtë qëllim Zavalani deshi ta krijonte “Bibliotekën e Mërgimit”, e cila do të ishte në shërbim të kulturës kombëtare. Kur një ditë Shqipëria të çlirohej nga regjimi komunist, ajo duhej ta kishte literaturën e gatshme për “riedukimin intelektual në frymën e lirisë dhe të demokracisë”…

Ithtarët e enverizmit ende e përligjin regjimin diktatorial. Ata thonë se ky regjim ndërtoi hidrocentrale, por komunizmi i fiku dritat e mendjes dhe të shpirtit. Thonë se ky regjim e zhduku analfabetizmin, por sistemi arsimor, i mbështetur në dogmën marksiste-leniniste synoi krijimin e “Njeriut të Ri”. Ithtarët e titizmit ndërkaq vazhdojnë ta kujtojnë me nostalgji sistemin shtetëror jugosllav dhe i përmendin vetëm gjërat utilitare që ua mundësoi ai.

Veçantitë e komunizmit sipas Zavalanit

Thelbin e një ideologjie mund ta kuptojmë më mirë nga të indoktrinuarit e penduar, siç bëri Edgar Moreni nëpërmjet librit Autokritika dhe nga Zavalani nëpërmjet historisë së tij.

Komunizmi, sipas Zavalanit, dëmin më të madh ia bëri vendit në lëmin e kulturës dhe të traditave kombëtare. Nëse ekonomia e vendit duhej “t’u shërbente interesave imperialiste të Rusisë sovjetike”, historia kombëtare u rishkrua në përshtatje “me nevojat e komunizmit sovjetik dhe legjendave të pansllavizmit rus”.

Sipas Zavalanit, regjimi komunist: [1] I persekutoi intelektualët e shkolluar në perëndim dhe kundërshtarët e dogmës komuniste; [2] Krijoi sistem të egër shtetëror ku kishte eliminime edhe brenda llojit; [3] Njerëzit e aftë i nxori nga aparati i shtetit dhe i zëvendësoi me partizanë analfabetë. [4] E izoloi vendin dhe zhduku çdo gjurme të atyre që besonin në vlerat perëndimore. [5] I hodhi poshtë idealet e qytetërimit perëndimor, siç ishin: “afshi për liri dhe për drejtësi, dallimi i së mirës nga e keqja, koncepti i ndërgjegjes dhe dinjitetit njerëzuer, pa dallim klase, feje ose race”. [6] E ndaloi fenë, duke e quajtur “opium për popullin”, që shteti komunist ta kishte monopolin ideologjik “për të gatue shpirtin dhe mendjen e rinis në bazë të dogmave marksiste-leniniste”. [7] I martirizoi dinjitarët e feve që e kundërshtuan dogmën ateiste, të cilët duhej të kujtoheshin “me respekt dhe përvuajtje nga brezat e ardhshëm”. [8] Synoi ta krijonte Njeriun e Ri – “njeriun e shoqërisë së avenirit”. [9] E ideologjizoi arsimin që bazohej në dogmat e marksizëm-leninizmit dhe krijoi sistem arsimor “themelisht utilitar” në shërbim të një qëllimi material, duke mos lënë mundësi për t’i admiruar bukuritë e natyrës dhe krijimet e gjeniut njerëzor. (“Deri edhe veprat e shkrimtarëve, poetëve dhe muzikantëve duhet të nxisin punëtorët me punue ma randë për të realizue objektivat e planit ekonomik”.) [10] I ndaloi veprat më të rëndësishme kombëtare dhe e bastardoi flamurin e Skënderbeut, të cilit ia ngjiti yllin e verdhë të sovjetëve. [11] E interpretoi historinë sipas porosive sovjetike, duke shtrembëruar, falsifikuar dhe mohuar faktet historike. (“Për ata qëllimi i historis nuk asht me e zbulue të vërtetën dhe me përshkrue ngjarjet ashtu si kanë ndodhë, por me gjetë argumenta për të justifikue politikën që ndjekin sot”.) [12] E shkatërroi ekonominë që solli varfëri të popullatës. [13] E shpalli Stalinin si “udhëheqës ma gjenial i rodit njerëzuer”. [14] E tradhtoi Kosovën duke iu servilizuar Titos.

Zavalani, si njohës i proceseve socio-kulturore, ishte i bindur se ky sistem nuk mund të mbijetonte dhe demokracia do të triumfonte mbi diktaturën. Parashikimet e tij ishin të sakta. Megjithatë, pas rrëzimit të çdo diktature mbetet vetëdija totalitare, veçanërisht në vendet ku nuk ka përfunduar procesi i dekontaminimit ideologjik.

Rehabilitimi i viktimave dhe dekomunistizimi

Dekomunistizimi duhej të fillonte me rehabilitimin e të burgosurve politikë. Predrag Matvejeviqi, në librin Epistolari lindor, kërkoi me ngulm rehabilitimin e viktimave të çfarëdo diktature. Rehabilitimi i vërtetë, sipas tij, nuk duhej të ishte vetëm anulim dënimesh, por edhe gjykim moral i kriminelëve. “Pa rehabilitim nuk ka shoqëri të lirë”, shkroi ai. Në fillim të viteve ‘90-ta ai i kërkoi presidentit rus, Boris Jelcin, që t’i dënonte krimet e komunizmit, sepse “e trishtë është shoqëria ku harrohen emrat e viktimave dhe fshihen emrat e xhelatëve”…

Megjithatë, në shumë shtete postkomuniste nuk ka përfunduar procesi i dekomunistizimit, sepse nuk ka filluar ende. Inercioni komunist ndjehet në çdo sferë shoqërore. Diskurset dhe veprimet e shumë politikanëve nuk dallojnë nga diskurset dhe veprimet e politikanëve që janë formuar në sistemin komunist.

Dekomunistizimi, sipas përkufizimit, e nënkupton demokratizimin, reformën shoqërore e ligjore dhe ndarjen e përgjithmonshme nga ideologjia komuniste.

Shoqëria jonë nuk është çliruar nga kjo frymë ideologjike. Ajo ndjehet kudo edhe pse çdo ditë miratohen “ligje sipas standardeve europiane”. Ende përballemi me tiraninë e njëmendësisë së sofistikuar. Ende nuk janë dënuar moralisht krimbërësit dhe nuk janë rehabilituar moralisht e as nuk janë dëmshpërblyer financiarisht viktimat e sistemit të kaluar. Ndëshkuesit e djeshëm nuk e dënojnë vetveten. Dishepujt e tyre nuk i gjykojnë moralisht prindërit shpirtërorë. Viktimat e sistemit shihen si “element i rrezikshëm” për shoqërinë dhe shtetin, përveç atyre që u bënë pjesë e sistemit dhe nga viktima u bënë ndëshkues.

Çlirimi nga fryma komuniste nënkupton që shërbyesve të partisë-shtet t’u ndalohet kryerja e funksioneve shtetërore. Sot kemi politikanë, funksionarë, hetues, gjykatës, prokurorë dhe avokatë të ish-sistemit që janë aktivë në jetën publike edhe pse ishin ingranazhe të makinerisë komuniste.

Çlirimi nga komunizmi nënkupton ndalimin e simboleve të sistemit shtetëror komunist, i cili e përjashtoi pluralitetin e mendimeve, ideve, vizioneve dhe i dënoi mizorisht kundërshtarët e tij, e depersonalizoi njeriun, e dëmtoi shpirtin e tij, e luftoi të vërtetën dhe e stimuloi hipokrizinë. Çlirimi nga komunizmi nënkupton ndërrimin e emrave të rrugëve, shesheve, institucioneve publike dhe moslejimin e teksteve shkollore me frymë nga kjo ideologji.

Sot kemi rrugë, sheshe, shkolla, institucione që ende mbajnë emra komunistësh me të kaluar të errët, kurse në tekstet shkollore ende ka simbolikë po nga kjo ideologji.

Pra, ende nuk është bërë dekomunistizimi i shoqërisë, ashtu si vepruan gjermanët me denazifikimin; ashtu si veproi Polonia duke i ndryshuar emrat e rrugëve dhe shesheve që lidheshin me komunizmin dhe me ish Bashkimin Sovjetik; ashtu si veproi Ukraina që i riemërtoi mijëra rrugë, qytete e fshatra dhe hoqi mbi njëmijë përmendore të Leninit dhe të udhëheqësve komunistë me qëllim të ndarjes nga e kaluara e hidhur.

Shtetet postkomuniste, që e filluan procesin e dekomunistizimit, krijuan edhe institute të kujtesës, ku u dokumentuan krimet e diktaturës komuniste.

Në shoqërinë tonë komunistët e vjetër shfaqen me maska të reja. Ata i përmbysën parullat. Nga komunistë të përbetuar u bënë nacionalistë. Ideologjinë komuniste e zëvendësuan me ideologji kombëtare, sepse, për rrethanat e reja, u tregua më e leverdishme për ata. Poetët që qanin me ngashërim për vdekjen e Titos dhe propozonin që Jugosllavia të quhej Titosllavia, sot flasin si nacionalistë të përbetuar kundër komunizmit.

Vetëdija totalitare dhe katarsa e munguar

Në shoqëritë ku nuk ka përfunduar procesi i “pastrimit moral”, ndëshkuesit e vjetër ose dishepujt e tyre mbajnë poste të larta shtetërore. Ata janë brenda sistemit gjyqësor dhe i ndëshkojnë, në forma të sofistikuara, të persekutuarit e ish sistemit. Ata e kontrollojnë edhe ekonominë, sepse nëpërmjet privatizimit të dyshimtë i shndërruan pronat publike (fabrikat) në prona private dhe u bënë kapitalistë.

Gjendja nuk ndryshon derisa nuk bëhet rishikimi kritik i së kaluarës. Derisa nuk përjashtohen nga çdo aktivitet publik ata që rëndojnë dhe e mbajnë peng politikën. Me gjasë, kanë materiale komprometuese për politikanët e tanishëm ose etërit e tyre, prandaj zgjedhin poste. Nuk është rastësi që përherë janë në pushtet. Drejtpërdrejtë ose tërthorazi. Dhe, po i kritikove menjëherë linçohesh nga sivëllezërit e tyre të instaluar kudo.

Pa përfunduar dekomunistizimi shoqëria jonë nuk do të frymojmë lirshëm. Por, kush ta bëjë këtë?

Zavalani mendonte se çlirimi i vërtetë nga doktrina komuniste do të ndodhte vetëm kur njerëzit të çliroheshin përgjithmonë nga të indoktrinuarit e “murtajës planetare”. A jemi çliruar nga kjo murtajë? A jemi të çliruar nga vetëdija totalitare? /revistashenja