Ballina Artikuj Muslimani i cili nuk ka arritur shkallën e ixhtihadit

Muslimani i cili nuk ka arritur shkallën e ixhtihadit

Sabaudin Jashari

Parimi i shtatë:

Imam Hasan El Benna (r.h) ka thënë: “Çdo musliman, i cili nuk e ka arritur shkallën e ixhtihadit (studimit të pavarur) të argumenteve të dispozitave sheriatike, ka të drejtë të pasojë një nga dijetarët e shquar të fesë. Në të njëjtën kohë duhet të përpiqet – brenda mundësive të tij – të njohë argumentet e mendimeve të imamit të tij. Gjithashtu i del për detyrë të pranojë çdo udhëzim të shoqëruar me argument, nëse ky udhëzim vjen nga një person kompetent e i besueshëm. Po ashtu duhet të përpiqet të plotësojë mangësinë e tij në fushën e dijes, nëse është prej hulumtuesve të dijes, derisa të arrijë shkallën e ixhtihadit.”

Ky parim trajton:

Çështjen e ixhtihadit dhe pasimit.

Pasimin e një shkolle të caktuar juridike islame (medh’hebi), si dhe a i lejohet muslimanit të paspecializuar në dijen islame të pasojë një medh’heb të caktuar?

Jo fanatizmit të medh’hebeve.

Ixhtihadi dhe pasimi:

Mendimi mesatar

Mendimi i mesëm në lidhje me këtë çështje është lejimi i pasimit për atë që nuk ka mundësi të studiojë Islamin dhe lejimi i ixhtihadit për atë që ka mundësi për një gjë të tillë.

Ky është mendimi i shumicës së dijetarëve të ummetit, duke përjashtuar ata të cilët e kanë bërë obligim hulumtimin (ixhtihadin) për të gjithë si dhe e kanë ndaluar pasimin (taklidin) për të gjithë.

Dijetari i madh i Islamit, Ibnu Tejmije thotë: “Pasimi i medh’hebit të një dijetari të caktuar, në pamundësi për ta njohur fenë në një formë tjetër, është diçka e lejuar dhe nuk është e obliguar, përderisa ka rrugë të tjera për njohjen e fesë.

Këshilla për pasuesin:

Përpjekja – sipas mundësisë – për njohjen e argumentit me qëllim që gjat pasimit të tij të jetë më i qetë shpirtërisht, më i sigurt dhe më i qetësuar.

Pranimi i udhëzimit nga ai që është më dijshëm, nëse e fton në një dispozitë, e cil bie ndesh me atë që është mësuar me të, nëse bëhet i vetëdijshëm se argumenti i çështjes me të cilën është ambientuar është më i dobët se argumenti i këshilluar.

Për atë që këshillon të tjerët vendoset si kusht, që ai të jetë i njohur, i besuar, i devotshëm dhe i aftë në sytë e të tjerëve, për shkak se njeriu i paditur nuk i beson vetëm atij që e njeh.

Nxitja e çdokujt që ka mundësi për përpjekje më të madhe, studim, hulumtim, verifikim të argumenteve të ndryshëm, për njohjen e tyre dhe për përcaktimin e më të saktit prej tyre.

Autor: Sabaudin Jashari

Ardhmeriaonline.com