Mustafa: Disa shtete nuk do ta përkrahin liberalizimin e vizave

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustaf, duke iu kundërpërgjigjur kritikave të pozitës lidhur me procesin e liberalizimit të vizave, ka thënë se individët që sot flasin se liberalizimi mund të shtyhet deri në vitin 2020, dhe që mundohen ta hedhin gurin te opozita, e dinë mirë se ku është problemi, por iu nevojitet një përbaltje e brendshme për ta arsyetuar veten.

Ai ka shkruar në facebook se kur në vitin 2016 kërkonim të ratifikohet marrëveshja e demarkacionit të kufirit me Malin e Zi, si kusht për liberalizim të vizave por edhe si instrument i sovranitetit shtetëror, këta që sot janë në pushtet e kundërshtonin dhe propagandonin rrejshëm se po humbim mbi 8000 hektar tokë.

“Me mashtrime dhe me politika populliste, atëherë humbëm shansin ta përmbyllim procesin e liberalizimit. Tani , në prag të zgjedhjeve për Parlamentin evropian, rreziku nga popullizmi i ka kaluar kufijtë e mashtrimeve dhe primitivizmit tonë. Ekziston frika reale se shtete të veçanta do të hezitojnë të përkrahin liberalizimin e vizave për Kosovën, duke u frikësuar nga popullistët, të djathtë e të majtë, në vendet e tyre, deri sa të përfundojë procesi i zgjedhjeve në institucionet e BE, epilogu i të cilave është vështirë të dihet.Individët, që sot flasin se liberalizimi mund të shtyhet deri në vitin 2020, dhe që mundohen ta hedhin gurin te opozita, e dinë mirë se ku është problemi, por iu nevojitet një përbaltje e brendshme për ta arsyetuar veten. Pavarësisht nga kjo, Kosova duhet të bëjë përpjekje maksimale që qytetarët e saj të lirohen nga regjimi i vizave sa më shpejtë; të garantojmë se ky vend do të qeveriset mi rë e pa korrupsion, se do ta zhvillojmë ekonominë e të hapim vende pune”< ka shkruar ai në Facebook, duke shtuar se të mos ndjellim frikë se të rinjtë tanë do ta braktisin Kosovën e do ta marrin botën në sy.