Naim Murseli është deklaruar i pafajshëm për vrasjen e gruas së tij, Liridona Ademajt. Në pyetjen për pranim të fajësisë ose jo, ai është përgjigjur se deklarohet “plotësisht i pafajshëm”.
Granit Plava është mbrojtur në heshtje, e Kushtrim Kokalla ka thënë se nuk do të deklarohet pa u konsultuar me avokatin e tij. Ndërsa, Tom Dodaj në mënyrë vullnetare e ka pranuar fajësinë.
Gjatë shqyrtimit fillestar më 31 janar, Prokuroria ka lexuar aktakuzën që rëndon ndaj katër të akuzuarve. Aty thuhet se Naim Murseli kishte premtuar 30.000 kompensim për vrasjen e bashkëshortes së tij, dhe madje e kishte mbajtur me njërën dorë që ajo të mos shmangte plumbin. Sipas aktakuzës, Naim Murseli ka deklaruar se motivi ishte presioni i lartë nga bashkëshortja dhe xhelozia e saj.
Granit Plava ka deklaruar se i është thënë se duhet të vrasë një biznesmene serbe. E Kushtrim Kokalla ka thënë se Murseli e ka lutur për një vit që ta vrasë Liridonën. I akuzuari i katërt, Tom Dodaj, sipas aktakuzës, ka thënë se ia ka shitur Murselit armën me 20 fishekë për 280 euro.







