Namazi dhe durimi

Pasi ligjërimi kuranor iu drejtua Beni Irraelëve – dhe veçanërisht dijetarëve të tyre – me qortim, kërcënim dhe kritikë për atë që kishin bërë, ai kaloi në një stil motivues dhe inkurajues, duke urdhëruar kërkimin e ndihmës me durim, pasi ai është thelbi i udhëzimit dhe suksesit. Po ashtu, u dha urdhri për kërkimin e ndihmës me namaz, pasi ai është burimi i shpëtimit dhe udhëzimit të drejtë.

Shpjegimi i kësaj është se një nga pengesat kryesore që i largon njerëzit nga ndjekja e fesë së drejtë është lidhja e tyre e fortë me zakonet dhe traditat e vjetra, si dhe dobësia e shpirtit për të duruar ndarjen prej tyre. Por kur njerëzit e brumosin veten me durim, atyre u bëhet e lehtë të ndjekin të vërtetën dhe të lënë pas zakonet e trashëguara nga koha e injorancës, të cilat nuk pranohen nga ligji hyjnor.

Nga kjo vjen edhe urdhri drejtuar Beni Izraelëve për të kërkuar ndihmë me durim në përmbushjen e besëlidhjes që bënë me Allahun për t’iu bindur Atij dhe për të ndjekur urdhrat e Tij, duke lënë mënjanë prirjet e tyre për pushtet dhe dashurinë për dynjanë. Kështu, ata do të mund të pranonin urdhrin e Allahut dhe të ndiqnin të Dërguarin e Tij, Muhamedin ﷺ.

Mjafton të përmendet vlera e durimit, pasi Allahu e ka bërë atë një nga arsyet kryesore të shpëtimit. Ai thotë:

“Pasha kohën! Vërtet, njeriu është në humbje, përveç atyre që besuan dhe bënë vepra të mira, dhe këshilluan njëri-tjetrin për të vërtetën dhe këshilluan njëri-tjetrin për durimin.”[1]

Imam Gazaliu (r.h) thotë se Allahu e ka përmendur durimin në Kuran në më shumë se shtatëdhjetë vende dhe ka lidhur shumë të mira dhe grada të larta me të, duke e bërë atë shkakun e arritjes së tyre. Allahu i Madhëruar thotë: “Ne bëmë prej tyre prijës që udhëzonin me urdhrin Tonë, sepse ishin të durueshëm.”[2]

Po ashtu, Ai thotë: “U përmbush fjala e bukur e Zotit tënd ndaj Beni Izraelëve për shkak të durimit të tyre.”[3]

Dhe gjithashtu: “Vërtet, Allahu është me të duruarit.”[4]

Ka shumë ajete të tjera me këtë kuptim.

Nëse e lexon me vëmendje dhe e thellon mendimin, do të kuptosh se thelbi i fesë dhe besimit është i lidhur me durimin. Kjo për shkak se besimi përfshin kundërshtimin e tekave të shpirtit dhe zakoneve të tij të njohura, si dhe pranimin e diçkaje që është përtej perceptimit të ndijimeve të zakonshme. Besimi përfshin edhe bindjen ndaj Krijuesit, të cilin sytë nuk mund ta shohin, por Ai i sheh të gjitha. Kur njeriu e bën durimin pjesë të karakterit të tij, atëherë çdo gjë i bëhet e lehtë për hir të së vërtetës dhe pranimit të argumenteve.

Prandaj, urdhri për të kërkuar ndihmë me durim në çështjet e besimit dhe pasojat e tij ka një kuptim të thellë, sepse durimi është një cilësi që hap dyert e shpirtrave për të pranuar të vërtetën dhe për t’iu nënshtruar asaj.

Sa i përket kërkimit të ndihmës me namaz, përveçse ai është një formë falënderimi ndaj Dhuruesit të mirësive dhe nënshtrimi ndaj urdhrit të Tij, ai gjithashtu përmban durim në shumë aspekte. Namazi përfshin largimin nga gjendja e zakonshme e njeriut dhe përkushtimin ndaj një gjendjeje tjetër në një kohë të caktuar. Ai është një mjet për qetësimin e shpirtit dhe lehtësimin e brengave. Është vërtetuar në hadith se i Dërguari (a.s), kur e prekte ndonjë çështje e rëndë, ai falej.”[5]

Po ashtu, Profeti (a.s) ka thënë: “O Bilal, na qetëso me namazin.”[6]

Ky është një realitet që e përjeton çdo besimtar që e kërkon dhe e synon namazin me sinqeritet. Mjafton fjala e Allahut për të: “Vërtet, namazi pengon nga turpi dhe e keqja.”[7]

Kjo tregon se namazi është ndihmë e madhe për të qëndruar i fortë në fe dhe për të pasur vendosmëri në rrugën e drejtë.

Ajeti i përmendur është i ngjashëm me fjalën e Allahut, kur i drejtohet të Dërguarit (a.s) dhe umetit të tij: “Bëj durim ndaj asaj që thonë dhe lartësoje me lavdërim Zotin tënd para lindjes së diellit dhe para perëndimit të tij, dhe lavdëroje Atë gjatë orëve të natës dhe në skajet e ditës, që të jesh i kënaqur.”[8]

Pra, Allahu i Lartësuar e urdhëroi Profetin (a.s) që në çdo situatë të vështirë t’i drejtohej durimit dhe namazit, pasi me to vjen ndihma, qëndrueshmëria dhe qetësia shpirtërore.

Sa i përket fjalës së Allahut:

“Dhe vërtet, kjo është e rëndë, përveç për të përulurit.”[9] Mendimi më i saktë është se përemri “kjo” i referohet të gjitha urdhrave dhe këshillave të përmendura më parë drejtuar Beni Israelëve.

Fjala “e rëndë” këtu ka kuptimin e diçkaje të vështirë dhe të lodhshme për shpirtrat. Kjo është një mënyrë e zakonshme shprehjeje në arabisht, pasi vështirësia është një nga cilësitë e gjërave të mëdha. Allahu thotë: “Dhe me të vërtetë, kjo është e rëndë, përveç për ata që i udhëzoi Allahu.”[10]

Po ashtu: “Nëse është e rëndë për ty shmangia e tyre…”[11]

Ndërsa fjala “të përulurit” i referohet atyre që e kanë përulur shpirtin e tyre dhe i kanë vendosur dëshirat e tyre nën rregullat e sheriatit. Këta janë ata që i binden Allahut me dëshirë dhe frikë.

Edhe pse ajeti është në kontekstin e qortimit dhe paralajmërimit për Beni Izraelët, kuptimi i tij nuk është i kufizuar vetëm për ta. Përkundrazi, ai është i përgjithshëm për të gjithë njerëzit, sepse mësimi nxirret nga kuptimi i përgjithshëm i fjalëve, jo nga arsyeja e veçantë e shpalljes. Allahu thotë: “O ju që besuat! Kërkoni ndihmë me durim dhe namaz! Vërtet, Allahu është me të duruarit.”[12]

Prandaj, ne muslimanët sot kemi më shumë nevojë se kurrë për ta kuptuar dhe zbatuar këtë urdhër hyjnor. Lusim Allahun për sukses, ndihmë dhe një përfundim të mirë.

ardhmëriaonline.com

[1] – Sure Asr: 1-3.

[2] – Sure Sexhde: 24.

[3] – Sure A’raf: 137.

[4] – Sure Bekare: 153.

[5] – Ebu Daudi dhe Ahmedi.

[6] – Ebu Daudi dhe Ahmedi.

[7] – Sure Ankebut: 45.

[8] – Sure Taha: 130.

[9] – Sure Bekare: 45.

[10] – Sure Bekare: 143.

[11] – Sure En’am: 35.

[12] – Sure Bekare: 153.