Namazi është kohë.
Namazi nuk është vetëm një obligim në një kohë të caktuar, por është një “libër i kurdisur” (كِتَابًا مَوْقُوتًا), me të cilin duhet të kurdisim jetën tonë. Ai nuk mund të kryhet kur të duam ne, sepse është i lidhur me kohën, por jo me vendin; pra mund të falet kudo, por jo kurdo.
Koha, si koncept, shpreh lëvizjen, distancën, marrëdhëniet ndërmjet gjërave, afërsinë dhe largësinë e trupave, si dhe ritmin e ekzistencës në univers.
Namazi në kohën e tij ka një lidhje të ngushtë me të ashtuquajturën “orë kozmike”, me lëvizjen e trupave qiellorë dhe me orën brenda nesh, të cilën e quajmë orë biologjike. Kjo orë rregullon sistemin tonë të brendshëm, vitalitetin dhe aktivitetet e ndryshme të jetës sonë.
Namazi është njësia që e vendos orën tonë biologjike në harmoni me rendin e njëpasnjëshëm të universit. Nëpërmjet tij, njeriu nuk lidhet vetëm me Krijuesin, por edhe me ritmin e krijimit.
Hoxhë Halil Avdulli








