Nata e Kadrit dhe fshehtësitë e madhështisë së saj

Hoxhë Driton Arifi

Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëbërësit të madh!
1. “Ne e zbritëm atë (Kuranin) në Natën e Kadrit.
2. E ç’të bëri ty të dish, se ç’është Nata e Kadrit?
3. Nata e Kadrit është më e rëndësishme se një mijë muaj!
4. Me lejen e Zotit të tyre në (atë natë) të zbresin engjëjt dhe shpirti (Xhibrili) për secilën çështje.
5. Ajo (që përcakton Zoti) është paqe deri në agim të mëngjesit.” (El Kadr, 1-5)

Madhështia e një libri hyjnor, i zbritur i fundit, udhërrëfyes për të gjithë njerëzimin, nuk mbeti e përkufizuar vetëm në porositë, urdhrat, ndalesat, rrëfimet apo edhe të vërtetat absolute e hyjnore të tij, megjithëse ato përbëjnë kurorën e të gjitha begative. Me Kuranin fisnik, Allahu e lartësoi, privilegjoi, dhe me shkën-dijën e tij hyjnore edhe e ndriçoi çdo gjë që ndërlidhet me të. I zbriti Muhamedit a.s. dhe e bëri atë njeriun më të ngritur, e më të dashur tek Allahu. Kurnain e shpalli në Rama-zan, dhe me bekimin e tij u bekua edhe ky muaj. Këtë fakt na e rikujtoi Zoti duke thënë: “Muaji Ramazan është muaji në të cilin zbriti Kurani…” (El-Bekare, 185). E si mos të bekohej e të mos dallohej, pastaj edhe nata në të cilën, Allahu e zbriti këtë libër, te robi i tij i dashur-Muhamedi a.s.. Ai me urtësi mahnitëse këtë fakt e përvijoi duke thënë: “Ne e zbritëm atë (Kuranin) në natën e Kadrit.” (El Kadr, 1).
Ajeti i sipërcituar nga surja El-Bekare, na ftoi që të jemi vigjilentë për arsyen e madhështisë së Ramazanit, ndërsa ajeti tjetër, i pari i kaptinës El-Kadr, na ftoi që të kuptojmë e meditojmë për arsyen e madhështisë së Natës së Kadrit. Që të dyja në fokus kishin Librin Hyjnor-Kuranin, mesazhin e fundit të Zotit drejtuar krijesës së privilegjuar-njeriut. Ndonëse vërehet qartazi, megjithatë duhet ritheksuar se Allahu në kaptinën El-Kadr, shpërfaqi madhështinë e saj që në ajetin e parë, dhe atë duke e mbiçmuar atë në formën më sublime, pikësëpari për faktin se ajo është “nata në të cilën zbriti Kurani”. Natyrisht se pastaj nuk do të mungonin edhe arsyet e tjera për ta llogaritur këtë natë si më të çmueshmen, duke rrëfyer se në të zbresin melaqet e Allahut, e në mënyrë specifike edhe vetë krye-melaqja-Xhibrili, me ç’rast si e tillë, kjo natë do të jetë paqe e shpëtim deri në mëngjes. Po në të njëjtën natë determinohen edhe caktimet e Allahut për krijesat e tij deri në vitin tjetër: “(Ne) e zbritëm atë në një natë të bekuar (në natën e begatshme të Kadrit). Ne dëshiruam t’u tërheqim vërejtjen, e njerëzit të jenë të gatshëm. Në atë (natë) zgjidhet-përcaktohet çdo çështje në mënyrë të prerë.” (Ed-Duh’an, 2-3).
Me qindra mund të jenë shkrimet dhe punimet e dijetarëve të fushave të ndryshme islame që tentojnë të kristalizojnë madhështinë e kësaj nate. Ato vijojnë të shkruhen edhe sot e kësaj dite, gjithnjë e pa ndalë. Megjithatë, ekziston një lloj “shkujdesjeje” ose anashkalimi, ndonëse jo tendencioz te disa nga ata që shkruan e folën për këtë natë dhe bekimet hyjnore të ndërlidhura për të. Jo rrallë, u tejkalua shpalosja dhe kristalizimi i thelbit të vlefshmërisë kulmore të saj, e që padyshim se ndërlidhet me një fakt: që në të zbriti dhe u shpall zbulesa e fundit nga Zoti drejtuar njerëzimit mbarë. Është madhështore, për faktin e thjesht, sepse në të zbriti libri më madhështor Kurani. Madje Ibën Abbasi r.a. këmbëngulte duke thënë: “Allahu e zbriti Kuranin në këtë natë, si tërësi nga Levhi Mahfudhi – pllaka e ruajtur e përcaktimeve të Zotit, në qiellin e kësaj toke, ndërsa vijoi zbritjen e tij sipas kërkesave e rrethanave specifike për 23 vjet me radhë tek i Dërguari a.s..”(1) Ndërsa Imam Esh-Shabiju insistonte në një këndvështrim më ndryshe, se: “Kurani ka filluar të zbresë në natën e Kadrit…”(2) S’ka alternativë të tretë, pra, ose ka filluar Kurani të zbresë në këtë natë, ose ai është zbritur i tëri brenda kësaj natë në qiellin e kësaj toke. Asnjëra prej tyre, në realitet, nuk anashkalon ndërlidhshmërinë e vlerës së kësaj nate me vetë zbritjen e Kuranit në të.
Ajo u quajt ndryshe edhe “Nata e lidhjes së qiellit me tokën. Nata e zbritjes së Kuranit në zemrën e Muhamedit a.s., nata e asaj ngjarjeje madhështore që toka s’kishte përjetuar asgjë më madhështore se atë ngjarje të asaj nate, si për nga kuptimësia e asaj që kishte zbritur në të, si për nga efekti që patën më pastaj ato fjalë në jetën e njerëzimit mbarë.”(3) S’është fare e habitshme, dhe sigurisht që pas një përsiatje soditëse që ne do të bënim në këtë kaptinë aq të shkurtër për nga numri i ajeteve, por jo edhe për nga madhështia e saj, do të na mjaftonte për t’u mahnitur me faktin se përse kjo natë qenka më e vlefshmja dhe më e vlerësuara nga Krijuesi Absolut.

Një natë e vetme, e barasvlershme me një jetë të gjatë njeriu

E duke e kuptuar arsyen e lartësimit të vlerës së natës së Kadrit, pastaj s’kemi pse të habitemi me shumëfishimin e vlerës së veprave të bëra nga besimtarët në këtë natë, për dallim nga vlera e atyre veprave që do t’i bënim në netët tjera. “Nata e Kadrit është më e vlefshme se një mijë muaj.” (El-Kadr, 3), e nëse do t’iu referoheshim autenticitetit të tekstit në përkthim do të thoshim: “Nata e Kadrit është më e mirë se një mijë muaj!” Në një hadith ”tregohet se Muhamedit a.s., iu ishin paraqitur (nga Zoti i tij) jetëgjatësitë e ymeteve të mëparshme, dhe sikur atij i ishte dukur se ymeti-pasuesit e tij janë shumë më jetëshkurtër për të arritur shpërblimin dhe veprat e atyre të mëhershmëve, andaj si ngushëllim edhe si kompensim, Allahu ia dha atij një natë, që është më me vlerë se një mijë muaj.(4) Madje në po të njëjtin hadith të cituar, rrëfehet se kjo natë, në kuptim të vlerës së saj nuk i është dhënë askujt tjetër para Muhamedit a.s. dhe ymetit të tij. Kështu në fakt mendonte Ibën Abdul Berr, Imam Neveviu dhe shumica dërmuese e të gjithë dijetarëve islamë, ndërsa për mendimin e tyre, si bazë e morën kryesisht hadithin e sipërcituar, e që është evidentuar nga Imam Maliku.”(5)

Kërkimi i natës së Kadrit me adhurim e lutje

Duke lexuar kaptinën El-Kadr, edhe duke dëgjuar Muhamedin a.s. teksa fliste për vlerat madhështore të kësaj nate, që në brezin e sahabëve, e jo më pak ndoshta edhe në brezat në vijim, u zgjua kureshtja tejmase për të kuptuar se cila do të ishte ajo natë, që vlera e veprës së njeriut në të do të ishte më e madhe se sa vlera e një mijë muajve. Sahabët pareshtur pyetnin të Dërguarin a.s. për natën e saktë në të cilën i bie të jetë nata e Kadrit. E ai, me synime tejet fisnike përkufizonte vetëm periudhën e ngushtë të atyre netëve që nata e Kadrit nuk do të dilte jashtë tyre. Në hadithin e saktë të dëgjuar nga Aisheja r.a. dhe sahabët e tjerë, ai tha: “Kërkojeni natën e Kadrit në netët tek, të dhjetëshit të fundit të Ramazanit.”(6) Duket që janë me dhjetëra hadithe të Muhamedit a.s. në të cilat ai fliste dhe përafronte, por nuk precizonte natën e Kadrit. E bënte këtë në mënyrë që ymeti i tij të jetë më kërkues dhe në mënyrë që ata të rrisnin ambiciet dhe veprat e mira edhe në net të tjera, e jo të përkufizoheshin vetëm në një natë në ibadet e adhurim, ndërsa të neglizhojnë netët e tjera të këtij muaji të bekuar. Po pra, ne jemi ymet i adhurimit të vazhdueshëm, ndaj Zotit tonë, e nuk iu ngjasojmë popujve të tjerë që të adhurojmë Atë në një ditë apo në një natë të veçantë, e ta harrojmë atë në netët apo ditët tjera.
Megjithatë, nëse shohim për nga numri i dijetarëve, por edhe për nga indikacionet e ndryshme në tekstet e haditheve, vërejmë se një numër i madh i tyre anonin kah mendimi se ajo i bie të jetë nata e 27-të e muajit Ramazan. Këtë natë, shpesh e gjejmë të jetë shënuar si “nata më e shpresuar”, por jo se ajo është nata e sigurt dhe e konfirmuar! Për të mbështetur mendimin e tyre, këtë dijetarë, pos tjerash citonin Ubej ibën Kabin tek thoshte: “Pasha Allahun që s’ka zot tjetër pos Tij, vërtetë ajo natë (e Kadrit) është në Ramazan, dhe pasha Allahun unë e di se cila është ajo natë! Ajo është nata që i Dërguari i Allahut a.s. na ka urdhëruar që të ngrihemi që të bëjmë ibadet në të, është nata e njëzeteshtatë, dhe shenjë e saj është se në mëngjesin e të nesërmes do të lind dielli i bardhë pa shkëndija vezulluese.”(7) Madje dijetari i njohur Ibën Hubejshi ka thënë:” Umeri, Hudhejfeja dhe disa prej shokëve të Muhamedit a.s. (Zoti pastë qenë i kënaqur me të gjithë) nuk dyshonin se ajo natë është nata e njëzeteshtatë. Madje ky thuhet se është edhe mendimi i Imam Ahmedit, Is’hakut e të tjerë.”(8)
Shpresa më e madhe dhe aspirata më e lartë që besimtari ka nga Allahu në këtë natë, është falja dhe amnistia nga Ai, për mëkatet e bëra gjatë jetës në përgjithësi, apo brenda atij viti në veçanti. Kështu premtonte edhe Muhamedi a.s., duke thënë: “Kush ngrihet për të bërë ibadet (namaz e lutje) në natën e Kadrit, do t’i falen atij mëkatet e tij të kaluara.”(9) Kështu për të realizuar edhe arsyen pse Allahu nuk e precizoi këtë natë, neve na mbetet që tërë Ramazanin ta mbushim me adhurim. E në veçanti të shtojmë intensitetin e tij në dhjetëshin e fundit të këtij muaji, qoftë edhe nëpërmes i’tikafit që ishte traditë e rregullt e Muhamedi a.s., në mënyrë që kështu të sigurohemi se nata e Kadrit nuk na ka ikur neve, porse e kemi shfrytëzuar pa lënë asgjë mangët në të. Shumë nga ata që analizuar arsyen e fshehtë të i’tikafit – izolimit të Muhamedit a.s. në dhjetëshin e fundit të Ramazanit, theksuar se ai këtë e bënte që ta kërkonte e ta gjente me siguri të plotë natën e Kadrit. S’është ngarkuese pra, e as e tepërt që ne të adhurojmë Allahun me përkushtim të shtuar që fitojmë vlerën e veprave që do t’i bënim për më shumë se tetëdhjetë vite. Më shumë se një jetë e gjatë njeriu. S’është pak gjë kjo!
Nëse jo me diç tjetër, atëherë së paku të mos kursehemi e të mos ndalemi duke e lutur Falësin e mëkateve me lutjen profetike:” O Allah, Ti je Falës, e do faljen, më fal mua!”

____________________
1. Ibën Kethir, Tefsir Ibën kethir (4\3-64). Bot. I pestë. Daru Es Selam.Rijad. 2001.
2. Ibën Xherir Et Taberijj, Tefsir Et Taberij (12/651). Bot. I katërt. Dar El Kutub El Ilmijje. Bejrut. 2005.
3. Sejjid Kutb, Fi Dhilal El Kuran (4/3944). Bot. 35-të. Daru Esh Shuruk, Kajro.2005.
4. Evidenton Imam Malikun në “Muvatta’ “ (nr:1145). Hadithin e cilëson Ibën Abd El-Berri se është i saktë dhe i pranuar nga dijetarët e hadithit.
5. Ez Zerkanin, Sherh Ez Zerkanij, (2/325). Bot. I parë. Mektebetu Eth Thekafetu Ed dinijjetu. Kajro. 2003.
6. Evidenton Buhariu në “Sahih” (nr: 2017).
7. Evidenton Muslimi në “Sahih” (nr: 7620).
8. Ibën Rexheb, Letaif El Mearif (fq.281). Bot.i parë. Err Rejjan. Bejrut. 2005.
9. Muttefak Alejhi.