Nata e pestë e protestave të dhunshme në Francë, përleshje midis policisë dhe protestuesve

Protestat që filluan në Paris pas vrasjes nga policia të një adoleshenti në fillim të kësaj jave, hynë në natën e pestë radhazi të shtunën, ndërsa sërish u regjistruan përleshje midis demonstruesve dhe forcave policore, raporton Anadolu.

Pamjet në mediat sociale shfaqin protestuesit duke vënë zjarr në vende të ndryshme në gjithë qytetin.

Demonstruesit hodhën fishekzjarrë ndaj policisë, ndërsa në të njëjtën kohë u vunë flakën barrikadave në lagjen e njohur Barbes.

Rruga ikonë Champs-Elysees u mbush edhe një herë me protestues pas një evakuimi të fundit, ndërsa kishte prani të shtuar të forcave të policisë.

Protesta ka pasur edhe në qytete të tjera, ndërsa policia ka përdorur mjete të blinduara për të intervenuar.

Në Marsejë, policia ka arrestuar dhjetëra persona, ndërsa demonstratat kanë rifilluar edhe në Strasburg, ku protestuesit kanë gjuajtur me fishekzjarrë në drejtim të forcave të rendit.

Protestat u përshkallëzuan në Rennes, ku grupe të maskuara gjithashtu sulmuan policinë me fishekzjarrë.

Transmetuesi francez BFMTV raportoi se disa kryebashkiakë kanë kërkuar më shumë ndihmë nga qeveria për të rivendosur rendin.

Franca është përfshirë nga një valë protestash të dhunshme që kur një oficer policie qëlloi për vdekje 17-vjeçarin Nahel M., me prejardhje nga Afrika e Veriut, në periferi të Parisit më 27 qershor.

Oficeri përballet me një hetim zyrtar për vrasje me dashje dhe është vendosur në paraburgim.

Rreth 2.000 persona janë arrestuar gjatë protestave, ndërsa më shumë se 200 policë janë plagosur.