Natasha Kandiq: I kam parë vetë krimet serbe

Aktivistja më e njohur serbe për të drejtat e njeriut, Natasha Kandiq, themeluese e Fondit për të Drejtën Humanitare, flet për bombardimet dhe luftën e Kosovës. Ajo ka qenë edhe vetë shpesh në Kosovë, në kohën e luftës.

“Pak kohë pas fillimit të bombardimeve të NATO-s, pra me 25 mars në orët e para të mëngjesit, diku nga ora dy apo tre, ra zilja e telefonit”, kujton Natasha Kandiq. „Ishte Nekibe Kelmendi. Më tha se policia është futur në shtëpinë e tyre dhe ka marrë me vete burrin e saj Bajramin, një avokat shumë i njohur, dhe dy djemtë e tyre. Nuk e di çfarë të bëj. I them se është mirë që po punojnë linjat telefonike dhe nesër në mëngjes menjëherë duhet të shkojë në polici apo shërbimin sekret të shtetit dhe të kërkojë sqarime… Këtë bisedë nuk do ta harroj kurrë. Një ditë më pas kanë gjetur trupat e pajetë të Bajramit dhe dy djemve, pranë një pike të karburanteve, në dalje të Prishtinës. Policia thoshte se ka nisur hetimet. Por ky ishte vetëm maskim i një krimi, sepse këtu nuk ka pasur hetime, nuk ka pasur asgjë. Nekibe Kelmendi ka vdekur në vitin 2011 dhe kurrë nuk e ka kuptuar zyrtarisht se kush i ka vrarë burrin dhe dy djemtë e saj. Ka mbetur vetëm vajza e saj, e cila ende kërkon të vërtetën. Edhe ne në Fondin për të Drejtën Humanitare po kërkojmë të vërtetën, por pa sukses.”

Natasha Kandiq ka qenë një ndër të rrallët në Beograd, që ka justifikuar ndërhyrjen e NATO-s në vitin 1999 dhe këtë e ka thënë hapur. Ajo më pas ka mbështetur edhe pavarësinë e Kosovës, të shpallur në shkurt të vitit 2008. Ishte mysafirja e vetme nga Serbia në Kuvend, në ceremoninë e shpalljes së pavarësisë.

Themelimi i Fondit për të Drejtën Humanitare

“Fondi për Drejtën Humanitare është themeluar në vitin 1992”, thotë Kandiq, “me qëllim dokumentimin e krimeve dhe shkeljen e të drejtave të njeriut në Serbi, atje ku jetojnë grupet etnike – shqiptarët në Kosovë dhe myslimanët në Sanxhak.”

Natasha Kandiq ka diplomuar në vitet 70-të në Fakultetin filosofik në Beograd, në sociologji. Në Republikën Socialiste Federative të Jugosllavisë ka punuar në Shoqatën e Sindikatave, ndërsa në vitet 80-ta ka qenë bashkautore e librit “Nyja e Kosovës”, në të cilën kritikohen ashpër autoritetet serbe në Kosovë, për politikë dhune, pas ardhjes së Sllobodan Millosheviqit në pushtet. Pas botimit të këtij libri, Kandiq e ka ndërprerë punën në sindikatë dhe ka filluar hulumtimet e opinionit publik. Në fund të vitit 1992 e ka themeluar Fondin për të Drejtën Humanitare. Gjatë luftërave të viteve 90-të, Fondi ka mbledhur të dhënat për krimet e luftës në hapësirat e ish-Jugosllavisë. Këto dokumenta kanë qenë më pas ndër dëshmitë kryesore në proceset e Tribunalin e Hagës për krime lufe në ish-Jugosllavi.

Kosovë – aktive prej vitit 1996

„Zyrën e parë në Prishtinë e kemi hapur në vitin 1996″, thotë Kandiq. “Aty kanë punuar së bashku shqiptarë dhe serbë. Detyra e tyre ka qenë mbledhja e të dhënave për gjendjen. Gjatë vitit 1997 kemi mbledhur të dhëna për ftesat masive të njerëzve në të ashtuquajtura biseda informative në polici. Gjatë marrjes në pyetje, ka pasur kërcënime masive ndaj atyre që janë angazhuar për pavarësinë e Kosovës. Atyre u është thënë se ky është terrorizëm dhe u është mohuar e drejta që me mjete paqësore të angazhohen për idetë e tyre politike.”

Kosova ishte lënë pasdore në kohën luftës në Kroaci dhe Bosnje-Hercegovinë. Lëvizja paqësore e shqiptarëve të Kosovës, në krye me Ibrahim Rugovën dhe Fehmi Aganin, ka ofruar rezistencë paqësore gati një dekadë të tërë. Ata kanë organizuar edhe sistemet paralele të pavarura në shkolla dhe shëndetësi. Sistemi paralel ka funksionuar me vite. Në vitin 1997, në skenë është paraqitur edhe Ushtria Çlirimtare e Kosovës (UÇK) dhe situata ka ndryshuar radikalisht. Në vitin 1998 kanë filluar konfliktet e armatosura mes forcave serbe dhe UÇK. Bashkësia ndërkombëtare, e cila me vite të tëra kishte injoruar lëvizjen paqësore të rezistencës, tani përpiqej të ndalte luftën. Në vitin 1999 janë mbajtur edhe negociata në Rambuje të Francës, por pala serbe nuk e ka nënshkruar marrëveshjen paqësore.