NATO: Rusia po bëhet më agresive

NATO-ja deklaroi se stërvitja ushtarake e Rusisë Vostok-2018 që do të realizohet me pjesëmarrjen e 297 mijë ushtarëve më 11-17 shtator fokusohet në konflikte të përmasave të mëdha dhe se ajo përputhet më një formë më “agresive” të cilën Moska e ka shfaqur së fundmi, raporton Anadolu Agency (AA).

Në një deklaratë për AA, zëdhënësja e NATO-s Oana Lungescu tha se të gjitha shtetet kanë të drejtë për të zhvilluar stërvitje me forcat e sigurisë, por kjo, sipas saj, është e rëndësishme të bëhet në mënyrë “transparente dhe të parashikueshme”.

Lungescu rikujtoi se në Këshillin NATO-Rusi të mbajtur nga zyrtarët në maj të këtij viti është diskutuar edhe Vostok-2018, ndërsa Moska i ka informuar se stërvitja do të jetë shumë më e gjerë sesa Vostok-2014.

“Stërvitja Vostok fokusohet në konflikte të përmasave të mëdha. Kjo përputhet me një sjellje të cilën e kemi parë kohëve të fundit. Është ajo e një Rusie më agresive që rrit buxhetin e mbrojtjes dhe praninë ushtarake”, tha Lungescu, duke theksuar se NATO-ja ndjek nga afër të gjitha stërvitjet ruse.

Ajo tërhoqi vëmendjen se Rusia ka shtuar në masë të konsiderueshme praninë ushtarake në rajonet e Detit Baltik, Detit të Zi dhe Mesdheut, ndërsa tha se Rusia është e gatshme të përdorë forcë ushtarake ndaj fqinjëve të saj në vazhdën e zhvillimeve në Ukrainë dhe Gjeorgji.

Vostok-2018

Në stërvitjen Vostok-2018 do të marrin pjesë 297 mijë ushtarë të cilën ushtria ruse do ta kryejë nga 11 deri më 17 shtator në Siberi dhe lindje të vendit.

Pritet që në stërvitje të angazhohen më shumë se 80 avionë, helikopterë dhe mjete ajrore pa pilot, rreth 36 mijë tanke dhe mjete të tjera të blinduara ushtarake, ndërkohë që marrin pjesë edhe njësitë ushtarake kineze dhe mongoliane.

Vostok-2018 është paraparë të jetë stërvitja ushtarake ruse me pjesëmarrjen më të lartë që nga stërvitja “Zapad-81” e realizuar në vitin 1981 gjatë periudhës së Bashkimit Sovjetik.