NATO: Rusia po planifikon një sulm në shkallë të gjerë ndaj Ukrainës

NATO po pret që ushtria ruse të kryejë një sulm në shkallë të plotë ndaj Ukrainës fqinje, sipas sekretarit të saj të përgjithshëm Jens Stoltenberg, ndërsa udhëheqësit perëndimorë u fokusuan në konfliktin në Konferencën e Sigurisë në Mynih.

“Të gjitha shenjat tregojnë se Rusia po planifikon një sulm në shkallë të gjerë në Ukrainë”, tha Stoltenberg për transmetuesin ARD.

“Asnjë ushtar nuk po tërhiqet, siç thotë Rusia, por trupa të reja po shtohen”, tha ai, duke shtuar se kishte gjithashtu indikacione se Rusia po përgatitej të krijonte një pretekst për një sulm.

Pavarësisht kërcënimit, Stoltenberg mbetet i përkushtuar ndaj një zgjidhjeje politike.

“Ne duam që Rusia të ndryshojë kursin dhe të ulet me ne”, tha ai.

Komentet e tij erdhën në të njëjtën ditë kur dy ushtarë ukrainas u vranë në përleshjet e reja midis ushtrisë ukrainase dhe separatistëve prorusë që kontrollojnë rajonin lindor të Donbasit të vendit.

Si ushtria ukrainase ashtu edhe liderët e rajoneve separatiste Donetsk dhe Luhansk renditën një sërë shkeljesh të supozuara të armëpushimit që ata pretendojnë se janë kryer nga pala tjetër.

Krahas të vdekurve, katër ushtarë të tjerë ukrainas u plagosën në përleshje.

Ndërkohë kryengritësit e Donbasit njoftuan se një civil ishte plagosur.

Rajoni ka qenë i trazuar që nga viti 2014, kur separatistët e mbështetur nga Rusia krijuan një rajon kontrolli në Ukrainën Lindore – si dhe aneksuan Gadishullin e Krimesë – në hakmarrje për përpjekjet e Ukrainës për lidhje më të ngushta me Perëndimin pasi përmbysi një qeveri pro Moskës, po në vitin 2014.

Situata është përkeqësuar muajt e fundit mes akuzave se trupat ruse po përgatiten të pushtojnë Ukrainën.

Rusia i mohon akuzat, pavarësisht nga grumbullimi i trupave në kufirin e Ukrainës.

Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) ka vërejtur një rritje të konsiderueshme të shkeljeve të armëpushimit midis forcave ukrainase dhe separatiste në javët e fundit.

Moska dhe Kievi kanë fajësuar njëri-tjetrin për tensione në rritje.

Ndërkohë, udhëheqësit perëndimorë që morën pjesë në Konferencën e Sigurisë në Mynih u zotuan se do t’i rezistojnë çdo pushtimi të Ukrainës.

Pavarësisht situatës, në konferencë mori pjesë edhe presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky.

Ai përshkroi situatën aktuale dhe kritikoi dështimin e Perëndimit për të mbështetur plotësisht vendin e tij përballë ndërhyrjes ruse.

Ai gjithashtu kritikoi vendet e tjera që nuk i dhanë Ukrainës ndihmën ushtarake që i nevojitej.

Zelensky theksoi se Kievi po bënte thirrje për bisedime dhe pranoi se ai vetë nuk ishte i sigurt për qëllimet e Rusisë.

Stoltenberg më vonë iu përgjigj komenteve të Zelensky, duke thënë se “ne po ndihmojmë Ukrainën të forcojë aftësinë e saj mbrojtëse. Ne ofrojmë trajnime, pajisje dhe kështu ndihmojmë vendin drejt integrimit euro-atlantik”.

Në një bisedë telefonike me presidentin francez Emmanuel Macron të shtunën, Zelensky theksoi gatishmërinë e vendit të tij për dialog, duke thënë se ai nuk do të reagonte ndaj provokimeve të separatistëve pro rusë.

Zëvendëspresidentja e SHBA-së, Kamala Harris ndërkohë përdori fjalimin e saj në Mynih për të paralajmëruar Rusinë se duhej të përgatitej për një reagim të ashpër perëndimor nëse ajo kalon në sulm.

“Sot SHBA dhe aleatët tanë dhe partnerët tanë janë më pranë njëri-tjetrit. Sot, ne jemi të qartë në qëllimin tonë. Dhe sot ne jemi edhe më të sigurt në vizionin tonë”, tha ajo.

Në konferencë nuk kishte asnjë delegacion rus për të dëgjuar mesazhin e saj, pasi Rusia zgjodhi të mos merrte pjesë në konferencë këtë vit. Në mungesë të një përfaqësuesi nga Moska, të pranishmit shfrytëzuan rastin për të vënë në dukje se kërcënimet ruse vetëm sa po forconin angazhimin e aleatëve të NATO-s për të mbështetur njëri-tjetrin.

“Nëse presidenti Putin beson se me këto veprime, ai mund të largojë NATO-n, ai do të zbulojë se është e kundërta”, tha kryeministri britanik Boris Johnson.

Ministrja gjermane e Mbrojtjes Christine Lambrecht tha se NATO qëndroi së bashku.

“Ne qëndrojmë të bashkuar. Dhe Rusia duhet të përgatitet që ne të mbrojmë aleatët tanë,” tha ajo.

Të tjerë, si kancelari gjerman Olaf Scholz, argumentuan se bisedimet duhet të vazhdojnë, duke bërë thirrje për “aq diplomaci sa të jetë e nevojshme”.

Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen akuzoi Rusinë për shkeljen e Kartës së OKB-së me aktet e saj dhe foli për mënyrat se si blloku po përgatitet për më të keqen, e cila mund të përfshijë refuzimin e Rusisë për të eksportuar karburant në pjesën tjetër të Evropës në të ardhmen.

Ministrja e Jashtme gjermane Annalena Baerbock lëshoi ​​gjithashtu një paralajmërim urgjent për Rusinë pas takimit me homologët e saj të G7-ës. /atsh