Navalny dënohet me 9 vjet burgim

Një gjykatë ruse e ka dënuar të martën kritikun e Kremlinit, Alexei Navalny, me nëntë vjet burgim, me akuzën “për mashtrim dhe mospërfillje të gjykatës”.

Ky vendim do ta mbajë kundërshtarin më të madh të Putinit jashtë jetës politike për vite me radhë, raporton Sky News.

Navalny ka më shumë se dy vjet që po qëndron në një burg në lindje të Moskës, për siç thuhet, shkeljet e lirimit me kusht në lidhje me një dënim, që ai thotë se ishin marrë në bazë të provave sajuara për të penguar ambiciet e tij politike.

Politikani 45-vjeçar, të cilin gjykata e ka gjobitur po ashtu me mbi 9.000 euro, është deklaruar i pafajshëm gjatë gjykimit, duke thënë se ky proces është i motivuar politikisht.

Navalny është arrestuar me t’u kthyer në Rusi në janar të vitit 2021, pas disa muajsh trajtimi në Gjermani, si pasojë e një sulmi gati fatal, me agjent nervor Novichok në Siberi.

Muajin pasues ai u burgos për tri vjet e gjysmë për shkelje të kushteve të një dënimi me kusht për një rast përvetësimi të fondeve.

Navalny ka këmbëngulur vazhdimisht se akuzat ndaj tij ishin të motivuara politikisht.

Navalny drejton një fondacion kundër korrupsionit të quajtur FBK dhe ka nxjerrë në pah korrupsionin në partinë “Rusia e Bashkuar”, që drejtohet nga Putini. /koha