Deri dje ishin dominantë në atë tokë me një pakicë hebreje nëpër këmbë, sot janë vetëm 20 përqind
Gjykata Supreme e Izraelit ka rrëzuar vendimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, i cili në shtator kishte përjashtuar nga zgjedhjet e 27 tetorit dy parti arabe, Lista e Bashkuar dhe Ra’am.
Me vendimin e nëntë gjyqtarëve, të dyja partitë do të mund të marrin pjesë në garën për Knesset. Sipas trupës gjykuese, materialet e paraqitura nuk plotësonin kriteret e përcaktuara nga jurisprudenca izraelite për skualifikimin e një liste kandidatësh.
Vendimi vjen në një klimë të tensionuar politike, vetëm pak javë para zgjedhjeve. Gjykata lejoi gjithashtu kandidimin e Ofer Cassif, deputet i Hadash dhe i vetmi hebre në Listën e Bashkuar.
Cassif është një nga zërat më kritikë ndaj politikës së Izraelit në Gaza dhe ka përdorur në Knesset termin “gjenocid” për të përshkruar veprimet izraelite atje.
Megjithatë, gjyqtarët u distancuan publikisht nga disa prej deklaratave dhe veprimeve të tij, duke i cilësuar ato si të papranueshme. Gjykata e ndau kështu të drejtën për të kandiduar nga vlerësimi politik dhe moral mbi deklaratat e tij.
Kush mbeti jashtë?
Jashtë garës mbeti Sami Abu Shehadeh, lider i Baladit, partisë së Asamblesë Demokratike Kombëtare, e cila së bashku me Hadash dhe Ta’al është pjesë e Listës së Bashkuar.
Abu Shehadeh hoqi dorë nga kandidimi gjatë seancës gjyqësore, pasi gjyqtarët sinjalizuan se përjashtimi i tij do të miratohej unanimisht.
Kundër tij ishin ngritur akuza për afërsi me Hamasin, pas një artikulli në të cilin ai e kishte cilësuar sulmin e 7 tetorit 2023 si “një ngjarje të rëndësishme historike”.
Ai pranoi kërkesën e presidentit të Gjykatës për t’u tërhequr, duke shmangur kështu një vendim që mund të krijonte precedent të ri. Në rastin e tij, edhe prokurorja e përgjithshme Gali Baharav-Miara kishte mbështetur përjashtimin.
Vendimi i Gjykatës Supreme rikthen në qendër të vëmendjes edhe mënyrën se si funksionon Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. Ky është një organ politik, i përbërë kryesisht nga përfaqësues të partive që janë aktualisht në parlament.
Komisioni kishte votuar me 18 vota kundër 5 për përjashtimin e Listës së Bashkuar dhe Ra’am, pas kërkesave të Likud të Benjamin Netanyahut dhe organizatave të tjera.
Prokurorja e përgjithshme kishte vlerësuar se provat kundër këtyre partive nuk ishin të mjaftueshme. Një ditë më vonë, Komisioni hodhi poshtë edhe kërkesat për përjashtimin e Otzma Yehudit të Itamar Ben-Gvir dhe të koalicionit Sionizmi Fetar-Zehut.
Organizata ligjore Adalah, që përfaqëson partitë dhe kandidatët e prekur, iu drejtua Gjykatës Supreme. Vendimi i fundit është në përputhje me një praktikë të gjatë: gjatë dy dekadave të fundit, Komisioni ka kërkuar në zgjedhje të ndryshme përjashtimin e partive arabe dhe të ekstremit të djathtë, ndërsa Gjykata Supreme pothuajse gjithmonë i ka rrëzuar këto vendime.
Një nga përjashtimet e rralla ishte ai i vitit 2019, kur u ndalua kandidimi i deputetit të ekstremit të djathtë Michael Ben Ari për shkak të nxitjes së racizmit.
Qytetarët arabë përbëjnë rreth 20 për qind të popullsisë së Izraelit, e cila arrin afërsisht 10 milionë banorë. Sondazhet u japin aktualisht partive arabe rreth 12-14 vende në Knesset-in me 120 deputetë, duke i bërë ato një faktor të rëndësishëm në konfigurimin e ardhshëm parlamentar. \tesheshi


