Ndalet rryma në stadiumin ku po stërvitej përfaqësuesja e Kosovës

Nënpresidenti i FFK-së, Agim Ademi, ka thënë se është shqetësuese kur nuk ka pasur rrymë në stadiumin “Adem Jashari” në Mitrovicë.

“Është shqetësues fakti që dje në stadium në kohën kur ka qenë Kombëtarja e Kosovës duke zhvilluar stërvitjet nuk ka pasur rrymë dhe kjo është e papranueshme për ne. Kjo ka ndodhur për shkak të borxhit që ka stadiumi, por kjo çështje duhet të zgjidhet sa më parë. Besoj se qysh javën e ardhshme ministri i sportit do të ndërmarrë hapat e nevojshëm për zgjidhjen e këtij problemi.Për ne si Federatë është primare që krahas funksionalizimit të dy stadiumeve në Prishtinë e Mitrovicë dhe Kampit Nacional në Obiliq, që po ashtu tashmë ka hyrë në fazën e konkretizimit, të kemi edhe Stadiumin Kombëtar në Bërnicë, me çka do ta përmirësonim dukshëm infrastrukturën sa i përket ekipeve kombëtare”.

“Na gëzon fakti se për Stadiumin Kombëtar kanë konkurruar 9 kompani të njohura që kanë ndërtuar stadiume në tërë botën. Janë klasifikuar 6 prej tyre, të cilat do ta bëjnë projektin e fizibilitetit dhe në fund do të zgjidhet projekti më i mire”, tha Agim Ademi.