Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Ndalohen importet nga kolonitë izraelite në territoret palestineze

Ndalohen importet nga kolonitë izraelite në territoret palestineze

Holanda ndjek shembullin e Spanjës, Belgjikës dhe Irlandës

Holanda ka vendosur të ndalojë importin e produkteve që vijnë nga kolonitë izraelite në territoret e pushtuara palestineze, duke iu bashkuar Irlandës, Belgjikës dhe Spanjës.

Masa hyn në fuqi më 22 shtator dhe do të zbatohet për importin, blerjen dhe shitjen e mallrave të prodhuara në vendbanimet izraelite që konsiderohen të paligjshme sipas së drejtës ndërkombëtare.

Në një deklaratë, Ministria e Jashtme holandeze theksoi se vendimi synon të respektojë detyrimet ndërkombëtare të vendit për të mos kontribuar në një situatë që konsiderohet e paligjshme.

Izraeli e ka pushtuar Bregun Perëndimor që nga viti 1967. Sot, në këtë territor jetojnë mbi 500 mijë kolonë izraelitë, krahas rreth 3 milionë palestinezëve.

Sipas së drejtës ndërkombëtare dhe rezolutave të OKB-së, të gjitha kolonitë izraelite në territoret e pushtuara konsiderohen të paligjshme.

Ndalimi, i shpallur fillimisht në muajin maj nga qeveria e kryeministrit Rob Jetten, do të ketë një afat trevjeçar dhe prek vetëm produktet që vijnë nga kolonitë në Bregun Perëndimor dhe në Lartësitë e pushtuara të Golanit sirian.

Një nga sfidat kryesore mbetet kontrolli i origjinës së mallrave. Autoritetet holandeze e pranojnë se nuk është gjithmonë e lehtë të dallosh në doganë nëse një produkt bujqësor është prodhuar brenda kufijve të njohur ndërkombëtarisht të Izraelit apo në një koloni izraelite.

Vendimi është ndikuar edhe nga raporti “Importing Occupation”, i hartuar nga organizata ligjore Global Echo.

Analiza e afro 6 mijë dërgesave bujqësore nga Izraeli drejt Evropës në periudhën 2017–2026, zbuloi se një në pesë ngarkesa të destinuara për tregun evropian përmbante produkte të kultivuara në kolonitë izraelite, të etiketuara në shumicën e rasteve si “Produkt i Izraelit”.

Sipas raportit, Holanda është pika kryesore e hyrjes së këtyre mallrave në Bashkimin Evropian. Rreth një e treta e importeve kalojnë fillimisht nëpër portet holandeze, ndërsa pothuajse gjysma e tyre më pas shpërndahet në shtete të tjera anëtare.

Ndërkohë, në Bruksel nuk ka ende një qëndrim të përbashkët. Franca dhe Suedia kanë kërkuar kontrolle më të rrepta dhe masa tregtare ndaj produkteve nga kolonitë, ndërsa nëntë vende evropiane, përfshirë Italinë, Gjermaninë dhe vetë Holandën, i kanë bërë thirrje Izraelit të ndalojë zgjerimin e vendbanimeve në territoret palestineze.

Megjithatë, miratimi i një mase të përbashkët në nivel të Bashkimit Evropian kërkon konsensus të gjerë mes 27 shteteve anëtare, një marrëveshje që për momentin duket ende larg. \tesheshi