Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Mickoski: Fillimisht do të sigurohet ujë teknik dhe më pas ujë i...

Mickoski: Fillimisht do të sigurohet ujë teknik dhe më pas ujë i pijshëm në Gostivar

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski ka deklaruar se institucionet shtetërore po e vënë nën kontroll situatën në Gostivar pas shpalljes së gjendjes së krizës dhe ka paralajmëruar masa ndaj të gjithë personave përgjegjës, transmeton Anadolu.

Duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve, Mickoski bëri të ditur se sot do të mbahet mbledhje e Komitetit Drejtues për Menaxhimin e Krizave, ku do të miratohen vendimet e nevojshme për menaxhimin e situatës.

“E rëndësishme është që tani, pasi dalëngadalë por sigurt institucionet shtetërore po e marrin situatën nën kontroll, pas letargjisë që mbizotëroi në komunë, fillimisht të sigurojmë ujë teknik, e më pas edhe ujë të pijshëm”, tha Mickoski.

Ai theksoi se lidhur me përgjegjësinë për rastin tashmë po vepron Prokuroria. “Të gjithë ata që janë përgjegjës për këtë rast do të merren në pyetje dhe natyrisht, ndaj tyre do të ndërmerren masat përkatëse”, tha ai duke kujtuar se tashmë janë caktuar masa sigurie ndaj tyre.

Qeveria e Maqedonisë së Veriut ka shpallur epidemi lokale në Gostivar, pasi rreth 1.200 qytetarë kërkuan ndihmë mjekësore për shkak të problemeve me stomakun dhe uji nga ujësjellësi i qytetit në Gostivar u ndalua për konsum javën e kaluar.

Dje, Ministria e Shëndetësisë njoftoi se deri më tani në institucionet shëndetësore në Gostivar janë regjistruar më shumë se 3.200 raste të lidhura me ndotjen e ujit.

Nga ana tjetër, Prokuroria Themelore Publike në Gostivar hapi procedurë hetimore dhe paraqiti propozim për paraburgim 30-ditor ndaj drejtoreshës së Ndërmarrjes Publike “Komunalec” – Gostivar dhe dy drejtuesve të tjerë të ndërmarrjes nën dyshimin se përmes vendosjes ilegale të pompave në dhomën e tejmbushjes në fshatin Vërtok, kanë shkaktuar ndotjen e ujit të pijshëm me të cilin furnizohet Gostivari.