Ballina Lajmet Rajon dhe Botë BE-ja miraton pjesëmarrjen e Britanisë në paketën prej 90 miliardë eurosh për...

BE-ja miraton pjesëmarrjen e Britanisë në paketën prej 90 miliardë eurosh për mbështetjen e Ukrainës

Vendet anëtare të Bashkimit Evropian (BE) kanë miratuar pjesëmarrjen e Mbretërisë së Bashkuar në kuadrin e huasë prej 90 miliardë eurosh, i krijuar për të përmbushur nevojat urgjente të Ukrainës në fushën e mbrojtjes dhe të buxhetit gjatë viteve 2026 dhe 2027, transmeton Anadolu.

Këshillit të BE-së njoftoi se vendimi do t’i mundësojë Ukrainës të përdorë financimin në kuadër të Instrumentit të Huas për Mbështetjen e Ukrainës për të blerë produkte kyçe të mbrojtjes nga prodhues me bazë në Mbretërinë e Bashkuar.

Furnizuesit britanikë do t’u bashkohen atyre me bazë në vendet anëtare të BE-së, në vendet e Zonës Ekonomike Evropiane dhe Shoqatës Evropiane të Tregtisë së Lirë (EEA-EFTA), si dhe në vende të tjera të treta të miratuara që kanë të drejtë të marrin pjesë në këtë kuadër.

“Solidariteti i BE-së me Ukrainën është një prioritet kyç i presidencës irlandeze (të BE-së). Miratimi i sotëm pasqyron angazhimin e përbashkët të BE-së dhe Mbretërisë së Bashkuar për të mbështetur Ukrainën për aq kohë sa të jetë e nevojshme për t’i dhënë fund luftës së paligjshme të agresionit të Rusisë dhe për të siguruar një paqe gjithëpërfshirëse, të drejtë dhe të qëndrueshme”, tha Helen McEntee, ministre e Punëve të Jashtme e Irlandës.

Nga paketa prej 90 miliardë eurosh, 60 miliardë euro janë destinuar për investime në kapacitetet e industrisë së mbrojtjes së Ukrainës dhe për prokurimin e produkteve ushtarake. Pjesa e mbetur prej 30 miliardë eurosh do të përdoret për mbështetje të drejtpërdrejtë ekonomike dhe buxhetore.

Miratimi vjen pas marrëveshjes së kontributit të nënshkruar ndërmjet BE-së dhe Mbretërisë së Bashkuar më 13 korrik.

Sipas Këshillit të BE-së, Mbretëria e Bashkuar i përmbushi tre kushtet për pjesëmarrjen e vendeve të treta, duke rënë dakord të japë një kontribut proporcional financiar për kostot e huamarrjes, duke krijuar një partneritet për sigurinë dhe mbrojtjen me BE-në dhe duke ofruar tashmë ndihmë të konsiderueshme financiare dhe ushtarake për Ukrainën.

Këshilli pritet ta miratojë zyrtarisht vendimin përmes një procedure me shkrim në ditët në vijim. Ai do të hyjë në fuqi pas publikimit në “Gazetën Zyrtare” të BE-së. Deri më tani, në kuadër të këtij instrumenti të huasë janë disbursuar rreth 8.1 miliardë euro, përfshirë 3.2 miliardë euro ndihmë buxhetore dhe afro 4.9 miliardë euro për mbrojtjen.

Komisioni Evropian pritet të disbursojë 28.3 miliardë euro nga paketa prej 60 miliardë eurosh për mbrojtjen gjatë vitit 2026.