Ndërprerja e energjisë elektrike lë 130.000 shtëpi dhe biznese pa energji elektrike në San Francisko

Një ndërprerje e gjerë e energjisë elektrike ka zhytur në errësirë pjesë të mëdha të veriut të San Franciskos të shtunën, duke lënë pa energji rreth 130.000 shtëpi dhe biznese, sipas mediave amerikane, transmeton Anadolu.

“ABC News” raportoi të shtunën vonë se kompania “Pacific Gas and Electric” (PG&E) ka njoftuar se ndërprerja, e cila ka prekur rreth një të tretën e klientëve të saj në qytet, ka nisur në orët e para të pasdites në lagje si Richmond, Presidio dhe zonat pranë “Golden Gate Park”, përpara se të zgjerohej më tej.

PG&E nuk komentoi menjëherë për shkakun e ndërprerjes.

Mediat lokale dhe përdoruesit e rrjeteve sociale raportuan restorante të mbyllura, semaforë të fikur dhe dekorime të Krishtlindjeve pa ndriçim.

Departamenti i Menaxhimit të Emergjencave të San Franciskos paralajmëroi në platformën sociale amerikane X për “ndërprerje të konsiderueshme të transportit” në gjithë qytetin, duke u bërë thirrje banorëve të shmangin udhëtimet jo të domosdoshme dhe të trajtojnë semaforët e fikur si kryqëzime me ndalesë nga të katër drejtimet.

Zyrtarët e transportit thanë se disa linja të autobusëve Muni dhe stacione të BART-it po anashkaloheshin për shkak të ndërprerjeve të energjisë.

Zyrtarët e zjarrfikësve njoftuan më vonë se të paktën një pjesë e ndërprerjes u shkaktua nga një zjarr në një nënstacion të PG&E-së pranë rrugëve 8th dhe Mission, rreth orës 15:15 me kohën lokale.

Rreth orës 16:00, PG&E tha në X se kishte stabilizuar rrjetin elektrik dhe se nuk priteshin ndërprerje të tjera, megjithëse afatet për rikthimin e plotë të energjisë mbetën të paqarta.