Ndeshja me Izraelin do të luhet me shikues dhe masa të rrepta të sigurisë

Ndeshja kualifikuese për “Euro 2024” ndërmjet Kosovës dhe Izraelit do të zhvillohet në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë me praninë e shikuesve. Praninë e shikuesve në tribuna për këtë përballje që i takon Grupit I, e ka konfirmuar kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), Agim Ademi të martën.

Pritet të ketë edhe masa të rrepta sigurie, të cilat sipas Ademit, do të përcaktohen në shteti, në këtë rast Policia e Kosovës.

Biletat pritet të dalin në shitje së shpejti, pasi tifozëve kosovarë u janë rimbursuar paratë nga FFK-ja për blerjen e biletave muajin e shkuar. Dueli mes Kosovës dhe Izraelit do të zhvillohet të dielën prej orës 20:45. Kjo ndeshje është dashur të luhet më 15 tetor, por është shtyrë, shkaku i situatës në Lindjen e Mesme.

Kosova ende nuk e ka publikuar listën e lojtarëve. Selektori i Kosovës, Primozh Gliha pritet t’i ketë në dispozicion lojtarët kryesorë. Vedat Muriqi e Amir Rrahmani janë liruar nga ekipet e tyre për ndeshjen me Izraelin. Dueli i Mallorcas me Cadizin, i paraparë të luhet të dielën edhe shtyrë nga La Liga, ndërsa Napoli ka vendosur të mos e grumbullojë Rrahmanin për ndeshjen me Empolin. As portieri Arijanet Muriq nuk do të ftohet nga Burnley për fundjavë.

“Po, ndeshja me Izraelin do të luhet me praninë e tifozëve”, ka thënë Ademi, duke shtuar se ky është vendimi i marrë pas mbledhjes me UEFA-n. “Sa u përket masave të sigurisë ato do të bëhen sipas protokollit të UEFA-s, siç bëhen gjithmonë. Ndërsa, sigurinë shtesë e bën shteti. Shteti vendos masën e sigurisë”.

Bazuar në rregulloret e UEFA-s, përgjegjëse për mbarëvajtjen e ndeshjes me Kosovës dhe Izraelit do të jetë FFK-ja.

Izraeli do të grumbullohet të premten në Kosovë, ndërsa një ditë më vonë ka planifikuar ta mbajë stërvitjen në stadiumin “Fadil Vokrri”.

Tri ditë para se të luhet ndeshja, Izraeli ka planifikuar të dërgojë një numër të madh të pjesëtarëve të sigurimit shtetëror izraelit në Prishtinë. I pranishëm pritet të jetë edhe zyrtari i sigurisë së UEFA-s. Selektori i Izraelit, Alon Hazan, tashmë ka publikuar listën e lojtarëve. Ai ka ftuar 31 futbollistë pasi brenda nëntë ditëve Izraeli do t’i ketë katër ndeshje në kuadër të kualifikimeve për Evropianin e vitit të ardhshëm që do të mbahet në Gjermani.

Ndeshja kundër Kosovës do të jetë e para për Izraelin që nga situata e krijuar në Lindjen e Mesme. Ambasadorja e Izraelit në Kosovës, Tamar Ziv, për radion “Evropa e Lirë” ka thënë se është e kënaqur me koordinimin e bërë deri më tani me autoritetet e Kosovës që ndeshja të ketë mbarëvajtje.
“Ne jemi duke punuar në koordinim të ngushtë me të gjitha autoritetet relevante në Kosovë për çështjet e sigurisë së ndeshjes dhe për mirëqenien e lojtarëve tanë”, tha ajo.

Pas Kosovës, Izraeli do t’i ketë edhe tri ndeshje. Më 15 nëntor përballet me Zvicrën. Me Rumaninë luan më 18 nëntor, derisa kundër Andorrës më 21 nëntor. Ndeshjet ndaj Zvicrës dhe Rumanisë, Izraeli i ka caktuar t’i luajë në Hungari. Ndërkohë, Kosova më 18 nëntor luan ndaj Zvicrës në Basel, përpara se ta mbyll këtë cikël kualifikues më 21 nëntor ndaj Bjellorusisë në Prishtinë.

Kosova i ka shtatë pikë nga shtatë ndeshjet e deritashme dhe mban vendin e katërt në grup. Izraeli është i treti me 11 pikë nga gjashtë ndeshje. Në grup udhëheq Rumania me 16 pikë nga tetë ndeshje, ndërsa Zvicra i ka 15 pikë nga shtatë ndeshje. Prapa Kosovës në tabelë janë Bjellorusia dhe Andorra me 6 përkatësisht 2 pikë të mbledhura pas tetë ndeshjeve të zhvilluara.