Gjyqtarit Nuza i besohet finalja e Kupës së Kosovës

Njërit prej gjyqtarëve më të mirë në futbollin kosovar, Genc Nuzës, i është besuar ndarja e drejtësisë në finalen e Kupës së Kosovës, ka njoftuar FFK-ja të martën.

Në finalen që do të luhet të mërkurën prej orës 15:00 në stadiumin “Rexhep Rexhepi” në Drenas, do të përballen Ballkani dhe Prishtina.

Në njoftimin e FFK-së, thuhet se Komisioni i Gjyqtarëve ka vendosur që Nuza të jetë gjyqtari kryesor i finales së këtij edicioni në Kupën e Kosovës.

Nuza do të asistohet nga asistentët Granit Hyseni e Arbnor Bullatofci që do të jenë gjyqtarë anësor, ndërsa gjyqtar i katërt do të jetë Ilir Mehmeti. Në dhomën e VAR-it, gjyqtari kryesor do të jetë Alban Shala, ndërsa ndihmës i tij, Besnik Morina.