Ndikimi i abdestit në meridianet e energjisë së njeriut

Prim.dr.med.sc. Ali F. Iljazi (r.a)

Allahu i madhërishëm na ka shpallur se çdo gjë e ka krijuar nga uji: “… ujin e bëmë bazë të jetës së çdo sendi …” (El – Enbija, 30)

Ujin i përzier me dheun krijoi baltën: “Ai është që ju krijoi nga balta …” (El – En’amë, 2)
Dhe nga balta krijoi njeriun: “Dhe (përkujto) kur Zoti yt engjëjve u tha: “Unë po krijoj njeriun nga balta e tharë, e zezë e me erë.” (El – Hixhr, 28)
Pastaj Allahu e frymëzoi me shpirtin e Tij: “E kur ta përsosë atë (në formën e njeriut) dhe t’i japë atij shpirtin që është krijesë Imja . . .” (El – Hixhr, 29)
Askush prej nesh nuk e ka përjetuar krijimin, por do të përjetojmë vdekjen: “… Ashtu sikundër e kemi filluar krijimin (tuaj), e rikthejmë …” (El – Enbija, 104)
Pra, njeriu u krijua nga uji dhe toka, dhe urtësia qëndron në atë që njeriu i kthehet burimit të tij.
Kusht për robin është të jetë i pastër kur qëndron para Krijuesit, të marrë abdest, e nëse nuk mundet, mund të marrë tejemum (pastrim simbolik).
Allahu i madhërishëm thotë: “O ju që besuat! Kur doni të ngriheni për të falur namazin, lani fytyrat tuaja dhe duart tuaja deri në bërryla; fërkoni kokat tuaja, e këmbët lani deri në dy zogjtë …” (El – Maide, 6)
Në gjuhën arabe fjala vudu’ (abdest) d.m.th. pastërti, qartësi dhe shkëlqesi.
Abdesti është çelës i xhenetit dhe për këtë i Dërguari i Allahut ka thënë: “Kush prej jush e plotëson abdesin dhe pas përfundimit thotë: “Dëshmoj që nuk ka zot tjetër pos Allahut dhe se Muhammedi s.a.v.s. është robi dhe i dërguari i Allahut”, do t’i hapen tetë dyert e xhenetit për të hyrë në të cilën dëshiron.” (Ahmedi, Muslimi, Ebu Davudi, Nesaiu)
Abdesti është dritë në dynja dhe ahiret. Në këtë botë lë gjurmë në formë drite në fytyrë dhe qetësi në zemër dhe e bën jetën e njeriut oazë të jetës dhe burim i besimit të fuqishëm, ndërsa në botën tjetër kjo dritë do t’ia zbukurojë fytyrën dhe këmbët e besimtarit.
Ai do të jetë shenjë me të cilën Pejgamberi s.a.v.s. në ditën e Gjykimit do t’i njohë besimtarët.
Disa sahabë e pyetën Pejgamberin a.s.: “Si do të njohësh o i Dërguar i Allahut atë i cili vie pas teje nga ummeti yt?” Ai u përgjigj: “A thua njeriu nuk mund të njohë kalin e tij i cili ka shenjë të bardhë në ballë dhe këmbë kur gjindet në mesin e kuajve të zinj?” Sahabët u përgjigjën: “Natyrisht se mundet.” Në këtë Pejgamberi a.s. tha:”Kështu besimtarët kur do të vijnë te burimi (haud) do të kenë fytyra dhe këmbë të shndritshme nga gjurmët e abdestit.” (Muslimi, Nesaiu, Ibn Maxhxheh)
Allahu i madhërishëm u ndihmon njerëzve që nëpërmes abdestit të pastrohen nga mëkatet dhe ngritën në shkallë më të lartë. Duke falënderuar abdestit ata do të jenë të përgatitur të presin takimin me Allahun e madhërishëm, siç ka thënë i Dërguari i Allahut: “A do t’ju tregoj me çfarë Allahu fshin mëkatet dhe ngritë?” Thanë: “Po i Dërguar i Allahut.” Ai tha: “Marrja e abdesit me rregull, hapat e shumtë deri në xhami, pritja e namazit tjetër pas namazit, ky është xhihadi juaj.” (Muslimi dhe Tirmidhiu)
Pejgamberi s.a.v.s. ka thënë: “Pastërtia është gjysma e besimit!” (Muslimi)
Ja si Islami ka kujdes për marrjen e abdestit me rregull duke arritur me këtë pastrimin e jashtëm dhe të brendshëm të muslimanit. Vërtetimi më i mirë i kësaj që islami potencon në vazhdimësinë e pastërtisë trupore e shpirtërore është thënia e Pejgamberit s.a.v.s.: “Kush merr abdest me rregull, kryen namazin e obliguar, do t’i falen mëkatet.” (Ahmedi dhe Muslimi)
Shtrohet pyetja: Ku qëndron fshehtësia e harmonisë në mes njeriut dhe botës?
Kjo është energjia shpirtërore e fesë, e energjisë së balancuar në formën më subtile. Frutat e kësaj energjie qartë paraqiten në trup dhe në shpirtin njeriut, sikur që thotë Ibn Abbasi r.a.: “Vërtetë vepra e mirë jep shkëlqim në fytyrë dhe zemër, rrit nafakën, fuqizon trupin dhe ndikon që tjerët ta duan. Ndërsa vepra e keqe vërtetë shkakton nxirje dhe errësirë në fytyrë dhe zemër, dobëson trupin, zvogëlon nafakën dhe shkakton urrejtjen e njerëzve.”
Abdesti vërtetë kthen fuqinë në trupin e njeriut, pastron mëkatet, sepse mëkatet dhe veprat e këqija ndikojnë në gjendjen psikofizike të njeriut, me ç’rast njeriu humb fuqinë. Ilaç për këtë është abdesti. Muslimi në hadithin sahih që e transmeton Amr ibn Abese i cili iu lut Pejgamberit s.a.v.s. duke i thënë: “I Dërguar i Allahut më trego për abdesin?” Ndërsa Pejgamberi s.a.v.s. i tha: “Secili prej jush i cili merr abdest e me këtë rast pastron gojën dhe hundën, nëpër mjekër së bashku me ujin i bien mëkatet nga fytyra, kur pastron duart deri mbi bërryla, nëpër gishtërinj i bien mëkatet nga duart, kur bën mes’h kokën, së bashku me ujin i bien mëkatet nga koka, kur pastron këmbët deri mbi nyje, me ujin nëpër gishtërinjtë e këmbës i bien mëkatet e këmbës, kur ngritët dhe falet dhe falënderon Allahun e madhërishëm ashtu siç e meriton Ai, dhe ia dorëzon zemrën Allahut, pas kësaj do të jetë i liruar nga mëkatet sikur në ditën kur e ka lindur nëna.” (Muslimi)
Sikur njeriu të pastrohej me të gjitha mjetet për pastrim, por nuk do të kryente lëvizjet e parapara me rregullat e abdesit të cilat Krijuesi i Urtë na ka urdhëruar, nuk do ta arrinim energjinë dhe harmoninë e merituar.
Shtrohet pyetja: A thua mëkatet lidhen me dorë, këmbë, fytyrë dhe vesh?
Është fakt që mëkatet lënë gjurmë të mëdha në meridianet nëpër të cilët rrjedh energjia vitale, si dhe në fushën vitale e cila rrethon trupin e njeriut. Në realitet, mëkatet e çrregullojnë fushën elektromagnetike e cila pastaj reflektohet në shëndetin e njeriut.
Njeriu siç dihet paraqet një energji kimike dhe elektromagnetike. Kjo energji kuptohet si energji vitale e cila shndërrim nga trupi ynë dhe quhet prana ose vital force. Sido që ta quajmë, kjo energji paraqet diç që realisht është prezente (Brecher, Secrets of Energy Work, Darling, Kindrsley).
Abdesti është begati dhe dritë. Allahu i madhërishëm lavdëron ata që pastrohen: “… Allahu i do ata që pendohen dhe ata që pastrohen.” (El – Bekare, 222)
Fryti i kësaj dashurie rrjedh nga fshehtësia e emrit të Allahut el – Hafidh (Ai i Cili vigjëlon gjithnjë mbi ne). Në të vërtetë Allahu e ruan njeriun me armën e jashtme dhe të brendshme, e kjo armë është abdesti. A thua edhe kjo nuk është një begati e Allahut të madhërishëm: “… në qoftë se përpiqeni t’i numëroni të mirat e Allahut, nuk do të mund të arrini t’i përkufizoni (në numër) …” (Ibrahim, 34)
Një abdest mbi tjetrin është sikur se një dritë mbi tjetrën. Për këtë Pejgamberi s.a.v.s. kur nisej për namaz lexonte këtë lutje: “O Zoti im, më jep dritë në zemër, dritë në sy, dritë në vesh, dritë nga ana e djathtë, dritë nga ana e majtë, dritë mbi mua, dhe dritë nën mua.” (Buhariu)
Në bazë të kësaj që përmendëm është e qartë që njëra prej begative të fshehta për besimtarin është abdesti i cili rikthen baraspeshën primare në fushën vitale e cila rrethon njeriun dhe rregullon secilin çrregullim në meridianet nëpër të cilët rrjedh energjia. Përveç pastërtisë fizike, abdesti e mbron njeriun nga gjithë ndikimet negative të teknologjisë bashkëkohore dhe ndotjes së mjedisit e cila ndikon në energjinë vitale të njeriut.
O Allah i madhërishëm na mundëso që t’i kryejmë obligimet Tuaja ashtu që Ti të jesh i kënaqur!

Nga: Prim.dr.med.sc. Ali F. Iljazi (r.a)