Ndotja e ambientit, Vanuatu ndalon përdorimin e pelenave

Vanuatun, një shtet të vogël në Paqësor pakkush e njeh. Emrin e tij e kemi dëgjuar për shkak të njohjes, e më pas tërheqjes së njohjes, së Kosovës si shtet të pavarur, por sot vendi është shfaqur në lajme, pasi ka vendosur të ndalojë përdorimin e pelenave, me qëllim që të reduktojë ndotjen.

Zyrtarët njoftuan masën këtë javë, duke thënë gjithashtu se pjatat, gotat, paketimet apo produktet e tjera plastike njëpërdorimshe do të nxirreshin jashtë ligjit.

“Mendoj se është mirë për ambientin, por besoj se është pak e vështirë të kthehemi te mënyrat e vjetra”, tha një grua.

Vanuatu është në fakt një nga disa vende të Paqësorit që janë prekur shumë nga ndryshimet klimatike, e krenohet me faktin që po tregon lidership në planin ambiental. Vitin e shkuar, ai u bë një nga të parat vende të botës që ndaloi qeset plastike njëpërdorimshe.

“Jam shumë i lumtur që Vanuatu ka marrë një vendim të tillë. Në vendet tona duhet shumë më tepër kohë para se disa vendime të merren. Mendoj se ka një përzierje elementësh të ndryshëm, që bëjnë që ata të lëvizin më shpejt. Ata jetojnë kryesisht me turizmin, jetojnë me peshkimin dhe nëse këto gjëra preken, është shumë vonë dhe nuk ka një industri të dytë për ta”, tha Thomas Maes, shkencëtar.

Ndalimi i pelenave, që duhet të marrë edhe një miratim përfundimtar, pritet të hyjë në fuqi më 1 dhjetor të këtij viti. Pelenat përbëjnë një ndotës kryesor ambiental, pasi bëhen me plastikë jo të biodegradueshme dhe kanë edhe sodium poliakrilik, një kimikat ky, si përbërës.

Top Channel