Kotësia e ndryshimeve të pritshme në qeveri, kur mendësia mbetet po ajo
Prej ditësh, politika po zien nga pritshmëritë për një riformatim të madh të qeverisë aktuale. Thuhet se Edi Rama do të zëvendësojë pjesën dërrmuese të kabinetit dhe do ndërmarrë një valë ndryshimesh në administratë e në Partinë Socialiste.
Në pamje të parë, duket si një lëvizje e fortë politike, e provokuar edhe nga protestat e dy muajve të fundit, apo edhe si një “reflektim” ndaj tyre, siç ka nisur ta propagandojë vetë pushteti.
Por a do të ndryshojë vërtet mënyra e qeverisjes? Apo kemi të bëjmë vetëm me një operacion të mirëfilltë marketingu politik, që ndërron fytyrat për të ruajtur të njëjtin kryeministër, me të njëjtën filozofi, të njëjtën mënyrë të qeverisjes dhe të njëjtat prioritete?
Sepse në thelb problemi nuk kanë qenë kurrë ministrat. Problemi është modeli. Dhe modeli ka vetëm një autor: Edi Rama.
Nëse në krye mbetet i njëjti kryeministër, me të njëjtën filozofi, të njëjtën mënyrë të qeverisjes dhe të njëjtat prioritete, atëherë çfarë ndryshon realisht?
Ministrat mund të ndërrohen. Drejtorët po ashtu. Por vendimmarrja do të vazhdojë të vijë nga e njëjta zyrë. Qeveria do të ketë fytyra të reja, po të njëjtin drejtim.
Korrupsioni nuk është thjesht produkt i disa ministrave të paaftë. Ai u kthye në sistem. Klientelizmi nuk lindi nga disa drejtorë. Ai u bë një mënyrë qeverisjeje.
Ndaj nuk mjafton të zëvendësosh njerëzit që administrojnë mekanizmin. Duhet të ndryshosh vetë mekanizmin. Përndryshe, thjesht ndryshojnë duart që menaxhojnë të njëjtin pushtet.
E njëjta logjikë vlen edhe për politikën e jashtme. Aleancat që kanë ngritur pikëpyetje për mbrojtjen e interesit kombëtar nuk janë produkt i ministrave. Ato janë zgjedhje politike të Edi Ramës.
Edhe afrimi i pakushtëzuar me Izraelin, pavarësisht debatit të gjerë ndërkombëtar për luftën në Gaza, është pjesë e këtij kursi. Një kabinet i ri nuk do ta ndryshojë atë.
Flitet se në qeveri mund të hyjnë figura nga akademia, shoqëria civile apo diaspora. Profesionalizmi është gjithmonë i mirëpritur. Por ekspertët nuk bëjnë dot mrekulli nëse nuk kanë lirinë të marrin vendime.
Kur gjithçka kontrollohet nga një qendër e vetme, emri në derën e ministrisë ka pak rëndësi.
Për të gjitha këto arsye, kjo lëvizje ngjan më shumë me një operacion komunikimi sesa me një reformë.
Një spektakël politik që synon të krijojë idenë e një fillimi të ri. Të dominojë debatin publik. Të japë përshtypjen se pushteti po reflekton. Në realitet, rrezikon të jetë vetëm një riciklim i të njëjtit model me aktorë të rinj.
Ekziston një shprehje që e përmbledh në mënyrë perfekte këtë logjikë: “Ndrysho gjithçka, që të mos ndryshojë asgjë!”. Pikërisht kjo duket se është filozofia e këtij riformatimi.
Por shqiptarët nuk kanë nevojë për një qeveri me fytyra të reja. Kanë nevojë për një qeverisje të re. Deri atëherë, çdo “Big Bang” i orkestruar nga Rama do të mbetet thjesht një fishekzjarr politik: shumë zhurmë, shumë dritë dhe në fund, po e njëjta errësirë…\tesheshi





