Në cilat raste KFOR-i do të mund të intervenojë në veri të Kosovës, flet eskperti i sigurisë

Misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR, i bën thirrje të gjithëve që të shmangin veprimet e njëanshme dhe të përmbahen nga dhuna. Komanda Rajonale e KFOR-it në Lindje ka rritur praninë e saj në afërsi të pikave të kalimit në Jarinje dhe Bërnjak, dhe thonë se janë të gatshëm të ndërhyjnë nëse është nevoja. Çfarëdo ndërhyrje e KFOR-it sipas ekspertëve të sigurisë nuk e përjashton Policinë e Kosovës por është partneritet dhe asistencë në ruajtje të sigurisë.

Flamuri amerikan dhe stema e policisë së Kosovës në një vend. Ky ishte takimi që shtatorin e kaluar i parapriu heqjes së barrikadave në pjesën veriore të vendit. Disa ditë para se të vinte ky moment, ushtarët amerikanë ishin të parët që zbarkuan në terren. Në kuadër të KFOR-it, mision i NATO-s në Kosovë, aktualisht janë rreth 3700 ushtarë, shumica nga ta amerikanë.

Me rikthimin e tensioneve, edhe gatishmëria e tyre për çdo eventualitet është rritur, çka është konfirmuar edhe në një përgjigje nga KFOR për RTV Dukagjinin.

“Për të rritur vetëdijen tonë për situatën, Komanda Rajonale e KFOR-it në Lindje ka rritur praninë e saj në afërsi të pikave të kalimit JARINJE dhe BRNJAK, ka vendosur disa pika të kontrollit të trafikut dhe ka shtuar patrullimin në zonë së bashku me MSU-në e Karabinierëve dhe EULEX-it. Këto masa janë marrë për t’i mundësuar KFOR-it të reagojë me shpejtësi ndaj çdo sfide të sigurisë. KFOR-i u bën thirrje të gjithëve që të shmangin veprimet e njëanshme dhe të përmbahen nga dhuna. KFOR-i është i gatshëm të ndërhyjë nëse është e nevojshme për të ruajtur një mjedis të sigurt dhe lirinë e lëvizjes, sipas mandatit të tij të OKB-së”, thuhet në përgjigjen e KFOR-it për RTV Dukagjinin.

Pas Pavarësisë së Kosovës, pos asistencës për Policinë e Kosovës, të pakta kanë qenë rastet kur KFOR-i ka qenë e vetmja forcë për ruajtjen e sigurisë së përgjithshme.

Ndonëse detyrë parësore e kanë ruajtjen e integritetit dhe sovranitetit, njohësit e sigurisë thonë se KFOR-i ka mandat edhe për ndërhyrje brenda kufirit. Kjo sipas Avni Islamit ndodh në rastet kur policia dhe mekanizmat e sigurisë nuk mund ta menaxhojnë situatën.

“Në rastet specifike kur forcat e sigurisë së Kosovës nuk kanë mundësi ose iu del nga kontrolli ruajtja dhe rendi i qetësisë publike atëherë me kërkesën e organeve të sigurisë së Kosovës thirret KFOR-i në ndihmë në mënyrë që të asistojnë dhe të ndihmojnë në ruajtjen e rendit dhe qetësinë publikë brenda territorit të Republikës së Kosovës”, shprehet ai.

Deklaratat se Policisë së Kosovës për pjesën veriore i duhet leja e KFOR-it, Islami i quan të pavërteta.

Ditët e fundit krahas KFOR-it edhe njësia speciale në afërsi të pikave kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak e ka shtuar praninë.

Madje kanë asistuar në përfundimin e punimeve për stacionin e ri të policisë kufitare në Bërnjak.

Përveç ushtarëve amerikanë, që janë rreth 630, mbi 1500 të tjera janë nga Italia, Hungaria, Turqia dhe Austria, ndërsa komandant i tyre është gjeneral majori hungarez, Ferenc Kajari, KFOR në Kosovë ishte vendosur menjëherë pas marrëveshjes së Kumanovës. Ky dokument nuk është parë asnjëherë publikisht por rezoluta 1244 po.

Pikërisht mandati i KFOR-it i udhëhequr nga NATO bazohet në rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, me mision që të sigurojnë mjedis të sigurt dhe lirinë e lëvizjes për të gjithë qytetarët në Kosovë.