Në Gaza janë vrarë qindra pacientë e civilë të pambrojtur

Bismilahir Rrahmanir Rrahim

Në emër të Allahut Mëshiruesit Mëshirëdhënësit

Në Gaza janë vrarë qindra pacientë e civilë të pambrojtur

Forumi Musliman i Shqipërisë ka përcjellë me dhimbje të thellë konfliktin e fundit izraelito-palestinez, që kulmoi me shpërthimin e një rakete në El-Ehli Baptist Hospital në Gaza, ku mbetën të vrarë qindra pacientë e civilë të pambrojtur.

Është tashmë e ditur se rrënjët e këtij konflikti me pasoja tragjike qëndrojnë në krijimin e paligjshëm e të dhunshëm të Shtetit Izraelit në trojet ku populli palestinez ka jetuar që nga thellësitë e shekujve. Që nga ajo kohë ky shtet ka ndjekur një politikë të egër dëbimi ndaj popullsisë autoktone, si rezultat i së cilës shumica e popullit palestinez ka qenë e detyruar të jetojë si refugjate në Liban, Jordani e gjetkë.

Është pikërisht që për shkak të kësaj politike këmbëngulëse terrori, lindi Rezistenca Palestineze, e cila e detyroi Izraelin që të nënshkruajë Marrëveshjen e Oslos për rikrijimin e Shtetit Palestinez në vitin 1994, marrëveshje të cilën ky shtet jo vetëm nuk e respektoi, por vazhdoi me ngulm dëbimin e zëvendësimin e palestinezëve me kolonë hebrenj.

Këto akte naziste të Shtetit Cionist kanë ngjallur reagime të shumta të opinionit publik ndërkombëtar. Organizata e Kombeve të Bashkuara ka miratuar 375 rezoluta në mbështetje të popullit të martirizuar palestinez dhe e ka dënuar ashpër shtypjen izraelite.

Në raportin e saj të shkurtit 2022, Amnesty International përcaktoi se si forcat izraelite kanë kryer në Gaza (si dhe në Bregun Perëndimor dhe Izrael) akte të ndaluara nga Statuti i Romës dhe Konventa e Aparteidit, si pjesë e një sulmi të gjerë dhe sistematik kundër popullsisë civile me synimin për të ruajtur një sistem shtypjeje dhe dominimi mbi palestinezët, duke përbërë kështu Krimin Kundër Njerëzimit Aparteidit.

Forumi Musliman i Shqipërisë i bën apel Faktorit Ndërkombëtar, që ta detyrojë Izraelin të përmbahet nga qëllimet e tij të shpallura për agresion kundër Gazës, që do të rezultonte me një katastrofë humanitare me pasoja tragjike.