Në “gjurmët” e historisë, gjenden këpucët gjigante nga periudha e Perandorisë Romake

Një mister i lashtë romak gjendet nën këmbët e disa kodrave në Britaninë veriore.

Arkeologët kanë gjetur disa këpucë shumë të mëdha në gërmadhat e një fortese ushtarake të shekullit I përgjatë Murit Hadrian, një pengese gurësh 117  kilometra të gjatë që mbronte kufirin veriperëndimor të Perandorisë Romake nga pushtuesit e huaj. Zbulimi po ngre pyetje të reja lidhur me jetën dhe origjinën e banorëve të fortesës.

Shuajt gjigantë të lëkurës u gjetën në muajin maj në fortesën Magna, midis 34 llojeve të tjera këpucësh që varionin nga çizmet e punës te të fëmijëve dhe janë ndihmesë në përfytyrimin e 4000 personave që dikur jetonin në këtë vend, shkruan CNN.

Tetë prej këpucëve janë 30 centimetra të gjata, çka do të thotë se janë më të mëdha sesa mesatarja e sotme dhe kjo ngjall dyshime se fortesa në kufi të perandorisë, mund të jetë ruajtur nga truproja shtatlartë. Mbetet e paqartë përse ishin vendosur këto truproja në fortesë.

“Kur këpuca e parë nisi të dilte nga toka, ne po kërkonim për shumë shpjegime se mund të jenë këpucë dimërore ose njerëzit i mbushnin duke veshur më shumë çorape. Por ndërsa gjenim më shumë prej tyre në stile të ndryshme, duket se këta ishin thjesht me këmbë shumë të mëdha”, tha arkeologia Rachel Frame.

Ndërsa në fortesë vijojnë gërmimet, Frame shpreson se kërkimet e mëtejshme mund të zbulojnë cilët i  kanë veshur këto këpucë gjigante.

Për këtë, arkeologët do të ekzaminojnë këpucët për shenja përdorimi. Çfarëdo të ketë mbetur aty, do të përdoret për të modeluar këmbën e personit që i ka veshur.

Nga ana tjetër, lëkura 2000-vjeçare është ruajtur nga toka e cila ka sasi të ulët oksigjeni. Ngrohja  klimatike ka ndikuar në përbërjen e tokës. Në një tokë të pasur me oksigjen, mikrobet shumohen,  ndihmojnë dekompozimin ndërsa pehashi acid gërryen materialet natyrale siç është lëkura.

Kjo arsye e bën më urgjent gërmimin e Magnës që të ndërtohet një dritare e qartë e së shkuarës.