Në Mal të Zi vazhdojnë tensionet pas fronizimit të kreut të Kishës Ortodokse Serbe në Cetinje

Ceremonia e shugurimit të Kreut të Kishës Ortodokse Serbe në Mal të Zi, Joanikije në Cetinje përveç trazirave të shumta që shkaktoi, tregoi dhe njëherë ndasitë që ekzistojnë në shoqërinë malazeze ndërmjet përkrahësve të Kishës Ortodokse Serbe dhe asaj të Malit të Zi, por dhe përplasje edhe mes udhëheqësve shtetërorë.

Tani kur situata duket si më e qetë ngjarja e Cetinjës, që është dhe kryeqendra historike e vendit, vazhdon të jetë në qendër të vëmendjes dhe të komentohet nga udhëheqësit shtetërorë dhe analistë politikë.

Komuniteti ndërkombëtar bën thirrje për zbutjen e tensioneve.

Kryeministri i Malit të Zi, Zdravko Krivokapiq në një konferencë me gazetarë tha se ngjarjet në Cetinje treguan se Mali i Zi gjendet në një situatë komplekse dhe delikate. Qëllimi i asaj çfarë ndodhi ishte destabilizimi i vendit, nxitja e trazirave dhe kaosit. Sipas tij falë aksionit të vendosur të drejtorisë së policisë dhe bashkëpunimit me ushtrinë çdo gjë përfundoi me sukses.

Ndërkaq nënkryetari i Qeverisë, Dritan Abazoviq i angazhuar në sektorin e sigurisë uroi përfaqësuesit e Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe drejtorinë e policisë për rezultatet e arritura në aksionin e ndërlikuar me qëllim të ruajtjes së paqes dhe të drejtave kushtetuese të qytetarëve. E derisa Abazoviq lavdëroi punën e Ministrisë së Brendshme dhe drejtorisë së policisë, Fronti Demokratik i ka bërë thirrje kryeministrit që të shkarkojë këta zyrtarë të lartë, për të cilët thonë se kanë refuzuar që të zbatojnë vendimet e qeverisë. Një hap i tillë do të thellonte edhe më tej ndasitë në radhët e partnereve të koalicionit qeverisës.

Ndërkaq grupi i deputeteve të Partisë Demokratike të Socialisteve të Presidentit Millo Gjukanoviq kërkon interpelancë në Këshillin e Mbrojtjes dhe Sigurisë, ku do të thirreshin krerët shtetërorë dhe ministrat e dikastereve përkatëse dhe do të përgjigjeshin për përdorimin e gazit të shumtë lotsjellës, bombave shokuese dhe fishekëve që janë përdorur kundër qytetarëve, të cilët kanë protestuar paqësisht.

Nga ana tjetër analistët politikë thonë se nga ngjarja e Cetinjes asnjeri nuk ka fituar.

Analisti Zllatko Vujoviq ka deklaruar se me këtë rast kanë humbur qytetarët e Malit të Zi, sepse ndasitë janë thelluar dhe ne si qytetarë duhet të vazhdojmë të jetojmë pavarësisht nga ndasitë fetare dhe kombëtare, e këto ndasi do t’i sjellin dëme paqes, harmonisë dhe qetësisë në të cilën qytetarët e Malit të Zi jetojnë. Mendoj se çdo gjë mund të shmangej me mos-mbajtjen e shugurimit. Këtë e them kur kemi parasysh se në Cetinje nuk ka besimtarë që e përkrahin Kishën Serbe Ortodokse, e kjo ka mundur të mbahet në Podgoricë.

Edhe drejtoresha e Qendrës për Edukim Qytetar, Daliborka Ulareviq duke komentuar ngjarjet që përcollën fronizimin e Joanikies në Cetinje, thotë se shteti është duke humbur, ndërkaq ndarjet ekzistuese në shoqërinë malazeze janë të thella dhe të dhimbshme. Ajo vlerëson se kjo ngjarje tregoi se politikanët malazezë nuk i japin përparësi interesit publik dhe kjo është arsyeja përse shoqëria dhe shteti janë duke humbur.

Humbje politike pësuan të gjithë aktoret politikë, disa më shumë e disa më pak përfshirë këtu dhe vetë Kishën Ortodokse Serbe. /trt