Në mes të Prishtinës, familja e varfër tetë anëtarëshe mbetet edhe pa shtëpi (Foto)

Jo më larg se 500 metra nga institucionet e Republikës së Kosovës, Qeveria dhe Kuvendi, shtrihet rruga e cila mban emrin e heroit të Kosovës, dëshmorit Edmond Hoxha,  ndryshe njihet edhe si “Mahalla e Kacallarëve”.

Sapo merr  kthesën, në të dyja anët e rrugës shfaqen muret e ndërtuara  me gurë dhe qerpiç pothuajse të rrënuara  nga koha. Teksa ngjitesh rrugës me kalldrëm, shfaqen shtëpitë gjysmë të rrënuara, pamje këto  që të  kujtojnë  kohën e luftës së  20 viteve më parë.

 

 

Në pamje të parë  shtëpitë duken të  janë të braktisura dhe nuk jeton njeri në to, por duke u afruar dëgjohen të lehurat e qenëve dhe  zëri i fëmijëve atëherë kupton  se në këto shtëpi jetojnë edhe njerëzit…!

Në njërën nga ato shtëpi, oborri i së cilës është i mbushur përplot me hekurishte e mbeturina disa fëmijë po luanin me top. Sapo na pa njëri nga fëmijët vrapoj për të thirrë të zotin e shtëpisë.
Nga shtëpia gjysmë e rrënuar dhe e mbuluar  me llastiqe e tapete me lloj lloj ngjyrash doli një burrë rreth të gjashtëdhjetave, ai zbret me kujdes shkallët e drunjta dhe na uron mirëseardhjen.
Hajdin Selimi tregon se jeton në ketë kasolle vetë i teti, bashkë me gruan e tij, djalin me nuse dhe katër nipa e mbesa. Ai rrëfen për “Indeksonline” për sfidat dhe peripecitë e kësaj familje që po jeton në këto kushte të mjerueshme.

A po e shihni ku jemi tu jetu , jemi tetë anëtarë, jeta ish gjithqysh e na po ja dalim diqysh po bile mu kan ni jetë mesatare po jo more qfarti, pos mu kanë jetë qeni bile qeni e ka ma mirë”, rrëfen me lot në sy Hajdini.

Hajdini tregon se jeton duke mbledhur kanaqe dhe letër nëpër kontejnerë të mbeturinave. ”Mledhim llastika e paketa po edhe k’to s’po shiten po edhe kur po shiten po shkojnë shumë lirë 5 centë killa po s’po kem qare po merrmi edhe me lemenka sa për buke qeshtu, m’veti njani qaty te kantat e bërllogut se a blen naj herë mish? I thash po për bajram po kush të m’nimon naj kush i bljm kto mishna ni  herë n’motmot se s’kem mundësi me ble”.

Selimi rrëfen edhe për atë gjysmë shtëpi të ndodhur mes hekurishtesh dhe thotë se nuk është e tyre pasi që në të janë vendos pas  lufte e cila ishte braktisur  nga komuniteti ashkali, e sikur të mos mjaftonin të gjitha këto jetën ua rëndon edhe sëmundjet me të cilat përballet ai vet por edhe anëtarët e tjerë të familjes.

“Gruen e kam të smutë vallahi mi hargjon në mujt ka 78 euro se ankon prej frymëmarrjes e hiq s’ashtë mirë prej mushknive qeshtu i ka thanë mjeku. Edhe djalin nuk e kam mirë e kanë shkelë me kerr paralufte edhe 60 % ka met i paaftë herë punon e herë s’punon qeshtu kush pe thirr naj kush djali ashtë i martum i ka katër  fëmi e qeshtu tetë vetë jemi tu jetu qetu.Pasha Zotin po të tham haptas punët keq i kam po s’po di ma mirë u kanë me dekë krjet se qeshtu.
Qe 20 vjet jetojë në ket sh’pi kjo është sh’pi e romëve  tash edhe prej k’tuhi dojn me m’qit se e ka ble ni firm Rrustem Rukolli e ka ble edhe m’ka thanë kur t’i nisi banesat duhet me dalë prej këtuhi e tybe nuk e di kah ja maj pasha Zotin duhet me i kap f’min e me i qit qaty te parku”


Hajdin Selimi thotë se ka bërë  kërkesë edhe në Komunën e Prishtinës për banesë por nuk është marrë parasysh sepse shteti ia ka ndalur edhe socialin dhe thotë se i ka qit edhe në gjyq por e ka humbur rastin sepse nuk ka pasur avokat për të paguar.

Për këtë familje dhe shtatë të tjera si kjo në dhjetorin e vitit të kaluar ishte organizuar   edhe një gala mbrëmje humanitare nga shoqata “Ndihmo edhe Ti” ku ishte transmetuar drejtpërdrejt në RTK. “Indeksonline” ka kontaktuar me drejtuesin e kësaj shoqate Liridon Llapashtica.

Ai thotë se megjithëse atë mbrëmje janë premtuar mbi  100 mijë euro nga biznesmen dhe individ të ndryshëm  janë mbledhur vetëm 38 mijë euro pasi që shumica e njerëzve kur janë kontaktuar pas emisionit për t’i derdhur mjetet në llogari nuk i janë përgjigjur thirrjes.

Llapashtica thotë se si shoqatë janë duke u munduar edhe me Komunën e Prishtinës   për t’i ndihmuar kësaj familje por kjo ka problem sepse nuk kanë as pronë të veten dhe e kanë të vështirë për ta siguruar pronën për ndërtimin e shtëpisë. /Jeton SopaIndeksonline