Ne nuk kemi problem me Vitin e Ri…

Hoxhë Halil Avdulli

Ne nuk kemi problem me Vitin e Ri.
Kemi problem me faktin që një vit tjetër po largohet dhe nuk kemi çfarë t’i tregojmë vetes, e as Zotit, përveç justifikimeve.
E kalojmë vitin duke reaguar, jo duke jetuar.
Duke u ankuar, jo duke u përmirësuar.
Duke folur për fe, jo duke u ndrequr me të.
Pastaj, në fund të vitit, kërkojmë fetwa:
a lejohet kjo? a ndalohet ajo?
Sikur problemi ynë kryesor të jetë data, jo vetja.
Fundi i vitit na detyron të shohim bilancin.
Dhe bilanci është i varfër: shumë fjalë, pak thellësi; shumë zell emocional, pak transformim real; shumë moralizim ndaj të tjerëve, zero llogaritje ndaj vetes.
Para se gjithash, duhet të flasim për planifikimin.
Pse nuk dimë të planifikojmë?
Sepse kemi keqkuptuar veten, Zotin dhe kohën.
▪️Pengesa e parë nuk është mungesa e kohës, por mungesa e kuptimit.
Ne nuk e dimë çfarë është planifikimi. E mendojmë si kontroll të së ardhmes, ndërkohë që ai është vetëm disiplinim i qëllimit. Planifikimi nuk garanton rezultate, por e nxjerr njeriun nga kaosi.
▪️Pengesa e dytë është më e rrezikshmja: bindja se planifikimi bie ndesh me kaderin.
Këtu nuk kemi devotshmeri, por keqkuptim. Kaderi është bërë justifikim për pasivitet, ndërsa në të vërtetë ai kërkon përpjekje. Të mos planifikosh “për hir të kaderit” është si të mos mbjellësh e pastaj të presësh bereqet. Ky nuk është besim, është vetë-mashtrim i shenjtëruar.
▪️Pengesa e tretë është ndjenja e pavlerësisë: “kush jam unë të planifikoj?”
Kjo tingëllon si përulësi, por në thelb është ikje nga përgjegjësia. Njeriu që e mohon të drejtën për të planifikuar, në fakt mohon amanetin e mendjes, kohës dhe vullnetit që i është dhënë. Përulësia e vërtetë nuk të paralizon, të angazhon.