Në SHBA rrëzohet avioni i Luftës së Dytë Botërore, raportohet për të plagosur

Disa persona janë plagosur pasi një avion i epokës së Luftës së Dytë Botërore u rrëzua në Aeroportin Ndërkombëtar Bradley në shtetin e SHBA-ve Connecticut, transmeton Anadolu Agency (AA).

Mediat lokale raportuan se pas rrëzimit të avionit Boeing B-17 gjashtë pacientë u dërguan në një spital pranë aeroportit.

Aeroporti konfirmoi rrëzimin e avionit duke theksuar se në këtë aksident u përfshi “një avion i Luftës së Dytë Botërore i Fondacionit Collings”, fondacion i cili ruan automobila dhe avionë historik.

“Ne kemi një zjarr aktiv dhe operacion shpëtimi në zhvillim. Aeroporti është i mbyllur. Do të japim detaje të mëtejshme sapo të kemi informacione”, ka shkruar aeroporti në twitter.

Sipas administratës federale të aviacionit, Boeing B-17 u rrëzua në fund të pistës 6 në përpjekjen për ulje. Ai është i regjistruar si një avion civil jo i fluturuar nga ushtria.