Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Në Shkodër shënohet 111-vjetori i Fitores së Çanakalasë

Në Shkodër shënohet 111-vjetori i Fitores së Çanakalasë

Në Shqipëri janë organizuar aktivitete me rastin e 18 Marsit, Ditës Përkujtimore të Dëshmorëve dhe Fitores së Çanakalasë, raporton Anadolu.

Në qytetin e Shkodrës u zhvillua ceremonia e vendosjes së kurorave me lule në monumentin “Hasan Riza Pasha”, ku të pranishëm ishin Ambasadori turk në Tiranë, Tayyar Kagan Atay, atasheu ushtarak i Turqisë në Shqipëri, kolonel Tolga Kip, koordinatori i Institutit “Yunus Emre” për Shqipërinë, Oguzhan Sakoglu, koordinatori i Agjencisë Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA) në Tiranë, Mustafa Ata, prefektja e Shkodrës, Holta Duda, nënkryetarja e Bashkisë Shkodër, Teuta Qyteza dhe përfaqësues të organizatave.

Ambasadori Atay në fjalën e tij përshëndetëse u shpreh se janë mbledhur në monumentin e Hasan Riza Pashës, mbrojtësit të Shkodrës, në nderim dhe përkujtim të dëshmorëve.

“Fitorja e Çanakalasë është një nga simbolet më të fuqishme të vullnetit të palëkundur që populli turk tregoi për pavarësinë dhe atdheun e tij. Kjo përpjekje e madhe i ka treguar të gjithë botës se populli ynë në unitet dhe bashkim, mund të përballojë çdo vështirësi. Fitorja e arritur në Çanakalasë ushqeu shpirtin e luftës së pavarësisë dhe në fund hapi rrugën drejt themelimit të Republikës sonë”, tha ai.

Atay theksoi se shpirti që u shfaq në Çanakala vazhdon të ndriçojë jo vetëm të kaluarën, por edhe të ardhmen, sipas tij si një epope e rrallë e sakrificës, heroizmit dhe guximit. “Ai shpirt ruan vendin në kujtesën tonë si një nga dëshmitë më të fuqishme se një popull kur është e nevojshme mund të qëndrojë drejt përballë gjithë botës”, tha Atay.

Ambasadori Atay shtoi se në këtë ditë gjithashtu përkujtojnë edhe përvjetorin e 105-të të miratimit të himnit kombëtar turk.

“Ceremonia jonë për fat të keq përkon me një periudhë të vështirë gjatë së cilës në Lindje të Mesme po zhvillohen konflikte. Si Republikë e Turqisë dëshirojmë që sulmet dhe përplasjet që ende vazhdojnë të marrin fund sa më parë dhe shpresojmë në rikthimin e tryezës së diplomacisë për rivendosjen e paqes rajonale dhe globale. Siç është shprehur edhe presidenti ynë i nderuar Turqia është e gatshme të japë kontributin e nevojshëm për krijimin e tryezës së paqes”, tha ndër të tjera ambasadori turk.

Gjithashtu në Shkodër në ambientet e Shkollën Artistike “Prenk Jakova” është mbajtur koncerti instrumental me pjesë turke dhe shqiptare nga orkestra e shkollës.

Agjencia Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim ka dhuruar më parë 6 piano për Shkollën Artistike “Prenk Jakova”.

Gjithashtu program është mbajtur edhe në shkollën e Fondacionit Turk Maarif në qytetin e Shkodrës. Aktivitetet u organizuan nën kujdesin e Institutit “Yunus Emre”-Shkodër dhe me mbështetjen e institucione të tjera turke dhe shqiptare.