Në Shqipëri është mbajtur protesta e radhës kombëtare antiqeveritare e cila është shoqëruar me tensione, raporton Anadolu.
Protesta e opozitës është mbajtur në 35-vjetorin e rrëzimit të shtatores së ish-diktatorit Enver Hoxha, që shënohet më 20 shkurt, me kërkesën për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.
Edhe protesta e sotme e organizuar nga Partia Demokratike e Shqipërisë (PD), me mbështetjen edhe të partive të tjera opozitare para selisë së Kryeministrisë së Shqipërisë në Tiranë, u shoqërua me tensione.
Protestuesit hodhën molotovë dhe fishekzjarrë në drejtim të selisë së Kryeministrisë, ku gjatë tensioneve, në ambientet e jashtme të Kryeministrisë u shkaktua zjarr, ndërsa forcat e policisë janë kundërpërgjigjur duke hedhur ujë ndaj protestuesve.
Gjatë fjalës në protestë, kryetari i Partisë Demokratike dhe ish-kryeministri Sali Berisha, u shpreh se janë opozita e vërtetë dhe se do shpëtojnë Shqipërinë.
Duke iu drejtuar protestuesve, Berisha u shpreh se mblidhen sot në një nga ditët më të shënuara të historisë kombëtare.
“Shqipëria e lirë, Shqipëria e qytetarëve të lirë do të shpallë vjedhjen e qytetarëve krim të rëndë. Do ndëshkojë dy herë më shumë qeveritarët që arratisen”, tha Berisha.
Pas fjalës së Berishës, protesta u zhvendos para selisë së sallës së seancave plenare të Kuvendit të Shqipërisë, ku vazhduan përsëri tensionet, pasi protestuesit hodhën molotovë dhe lëndë piroteknike, ndërsa policia u kundërpërgjigj me gaz lotsjellës dhe ujë.
Gazi lotsjellës ka përfshirë edhe ambientet e jashtme të Xhamisë së Namazgjasë, e cila ndodhet pranë sallës së Kuvendit, ku një pjesë e protestuesve u janë drejtuar ambienteve të jashtme të xhamisë, duke u larguar nga gazi lotsjellës. Gjatë protestës dhe tensioneve, në ambientet e xhamisë ndodheshin edhe besimtarë për ritet fetare.
Nga organizatorët e protestës është pretenduar edhe për të lënduar gjatë tensioneve në protestë.
Opozita kërkon edhe dorëheqjen e zëvendëskryeministres dhe ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, e cila është marrë e pandehur për veprën penale “shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tenderë apo ankande publike”. Sipas opozitës, Balluku duhet “t’i dorëzohet drejtësisë”, pasi Gjykata Kushtetuese la në fuqi masën e pezullimit ndaj saj.
Në muajt e fundit në Shqipëri janë organizuar protesta antiqeveritare, ndërsa partitë opozitare kanë paralajmëruar vazhdimin e protestave.



