Shqipëria është përfshirë në ditët e fundit nga moti i keq me reshje shiu dhe dëbore, ndërkohë në disa qytete janë shënuar përmbytje, raporton Anadolu.
Reshjet e dendura të shiut kanë vazhduar edhe gjatë natës dhe në orët e para të ditës së sotme, duke shkaktuar probleme në disa bashki të vendit.
Situata më problematike me reshjet e shiut dhe përmbytjet është raportuar në qarqet Durrës, Lezhë, Gjirokastër, Vlorë dhe Shkodër, ku janë përmbytur banesa, biznese dhe tokë bujqësore.
Në terren vazhdon angazhimi i autoriteteve për të ndihmuar banorët në zonat e prekur nga përmbytjet, ndërkohë janë evakuuar dhjetëra familje.
Forcat e Armatosura të Shqipërisë janë angazhuar në Qarkun e Durrësit dhe në zona të tjera për të larguar ujin nga banesat dhe për të ndihmuar në evakuimin e banorëve.
Instituti i Gjeoshkencave i Shqipërisë ka njoftuar që edhe gjatë ditës së sotme priten reshje shiu në të gjithë vendin.

