Truket juridike sjellin nje drejtesi te cunguar…
Në teatrin e drejtësisë shqiptare, po luhet një dramë ku personazhi kryesor nuk është më prova, as dëshmitari dhe as e vërteta, por kronometri.
Zhvillimet e fundit tronditëse – nga lirimi i të akuzuarve për vrasjen e Martin Çeços deri te dështimet procedurale në rastin e Egli Progës, dëshmojnë se sistemi ynë ligjor po shndërrohet në një strehë ku krimi nuk fshihet nga pafajësia, por nga skadimi i afateve.
Lirimi i tre të akuzuarve për vrasjen makabre të 26-vjeçarit Martin Çeço, pasi Gjykata e Apelit konstatoi tejkalimin e afateve të paraburgimit, është një kapitull i zi për shtetin e së drejtës.
Kur një trupë gjyqësore kthen çështjen për rigjykim dhe lejon që “ora” të ndalojë për llogari të të pandehurve, ajo nuk po mbron thjesht të drejtat e tyre njerëzore, por po dhunon hapur të drejtën e viktimës për drejtësi.
Lotët dhe kërcënimet e Nevzat Çeços, babait që kërcënon se do të djegë me benzinë autorët, nuk janë thjesht shpërthime emocionale; ato janë paralajmërimi i fundit i një shoqërie që, kur sheh shtetin të kapitullojë para procedurave, i kthehet Kanunit dhe vetëgjyqësisë.
Ky “kronometër” që po liron vrasësit e dyshuar në Korçë e Pogradec, po rrezikon të kthehet në mjetin kryesor të mbrojtjes edhe për “peshqit e mëdhenj” të politikës.
Sot, ndërsa SPAK dhe GJKKO mbajnë nën akuzë figura si Ilir Meta, Erion Veliaj dhe ish-ministra e kryebashkiakë për korrupsion dhe shpërdorim detyre, frika kryesore nuk është mungesa e provave, por zvarritja taktike.
Strategjia është e qartë: përmes kërkesave pafund për përjashtim gjyqtarësh, zëvendësimit të avokatëve në minutën e fundit dhe raporteve mjekësore të dyshimta, mbrojtja synon vetëm një gjë – të djegë afatet e paraburgimit.
Nëse kjo skemë funksionoi për një vrasje barbare në fshatrat e Maliqit, çfarë e pengon një ushtri avokatësh të shtrenjtë që ta përdorë për të nxjerrë nga qelia elitën e korruptuar të vendit?
Nisma e vonuar GJKKO-së për të ndryshuar Kodin e Procedurës Penale, në mënyrë që zvarritja e qëllimshme e një të pandehuri të mos “infektojë” dhe lirojë të gjithë të tjerët në një dosje, është një përpjekje për të thyer këtë kronometër të mbrapshtë.
Por, deri atëherë, mbetet një pyetje e hidhur: Çfarë vlere ka reforma në drejtësi, nëse në fund të ditës, krimineli nuk del nga burgu sepse është i pafajshëm, por sepse shteti nuk ishte i aftë t’i numëronte ditët siç duhet?
Drejtësia që mbyllet me kronometër është një ftesë për anarki. Kur vrasësit kthehen në shtëpi “për shkak afatesh”, ata nuk kthehen si njerëz të lirë, por si fitimtarë mbi një sistem të gjunjëzuar, duke lënë pas një shoqëri që në mungesë të çekanit të gjyqtarit, fillon të mprehë thikat e vetëgjyqësisë. /tesheshi






