
Pacientët me kancer në Rripin e Gazës po përballen me një krizë vdekjeprurëse, teksa sistemi shëndetësor është shembur plotësisht dhe autoritetet izraelite vazhdojnë të bllokojnë daljen e tyre për trajtim jashtë territorit, si dhe hyrjen e barnave jetike. Mjekët paralajmërojnë se vdekjet nga kanceri janë trefishuar që nga fillimi i luftës izraelite në Gaza në tetor të vitit 2023.
Për Hani Naim, pritja nuk është më për shërim, por për leje për të shpëtuar jetën e tij. Ai jeton me kancer prej gjashtë vitesh dhe kishte marrë miratimin për trajtim jashtë Gazës, por sot, si mijëra të tjerë, mbetet i bllokuar.
“Trajtohesha në Bregun Perëndimor dhe në Jerusalem. Sot nuk kam asnjë akses në trajtim. Kam nevojë për radioterapi dhe ajo nuk ekziston më në Gaza,” tha Naim për Al Jazeera.
Ai është një nga rreth 11 mijë pacientë me kancer që aktualisht ndodhen të bllokuar në Gaza, pa mundësi trajtimi dhe pa rrugëdalje.
Spitali “fantazmë”
Qendra e kësaj krize është Spitali Miqësor Turko-Palestinez, dikur e vetmja strukturë e specializuar për trajtimin e kancerit në Gaza. Sot, ai është shndërruar në një godinë të shkatërruar.
“Ngjan me një spital fantazmë, pasi u kthye në zonë ushtarake gjatë luftës,” raportoi korrespondenti i Al Jazeera, Tareq Abu Azzoum. “Forcat izraelite e hodhën në erë, duke i lënë pacientët të mbijetojnë vetë.”
Pas shkatërrimit të spitalit, mjekët janë detyruar të punojnë në klinika improvizuara, pa pajisje dhe pa barna.
Mohammed Abu Nada, drejtor mjekësor i Qendrës së Kancerit në Gaza, e përshkroi situatën si të pashpresë.
“Kemi humbur gjithçka. Humbëm të vetmin spital që diagnostikonte dhe trajtonte kancerin,” tha ai për Al Jazeera Mubasher. “Tani jemi në Kompleksin Mjekësor Nasser, por nuk kemi pajisje diagnostikuese dhe nuk kemi kimioterapi.”
“Çokollata po, ilaçe jo”
Edhe pse marrëveshjet e armëpushimit parashikonin hyrjen e ndihmave humanitare, barnat thelbësore vazhdojnë të mungojnë. Sipas Abu Nada, disa mallra tregtare kanë hyrë në Gaza, por jo ilaçet që shpëtojnë jetë.
“Kanë sjellë çokollata, arra dhe patatina, por trajtimet për sëmundjet kronike, për kancerin dhe pajisjet diagnostikuese nuk kanë hyrë fare,” tha ai, duke i cilësuar pretendimet për ndihmë si “propagandë”.
Ai shtoi se 60–70 për qind e protokolleve të trajtimit të kancerit janë plotësisht të papërballueshme për shkak të mungesës së barnave. Meqë kimioterapia kërkon një sekuencë të saktë ilaçesh, mungesa e njërit e bën gjithë trajtimin të pavlefshëm.
Edhe kujdesi paliativ po dështon. Qetësuesit e dhimbjeve po racionohen, duke u dhënë vetëm pacientëve në faza shumë të avancuara.
Një vrasës i heshtur
Pasojat janë dramatike. Në zonën e Khan Younis-it, dy deri në tre pacientë me kancer vdesin çdo ditë.
“Kanceri përhapet në trup si zjarr,” tha Abu Nada. “Kemi kthyer trajtimin e kancerit 50 vjet pas.”
Aktualisht, 3,250 pacientë kanë referime zyrtare për trajtim jashtë vendit, por nuk mund të largohen për shkak të mbylljes së pikëkalimit Rafah dhe ndalimeve izraelite për evakuime mjekësore.
Për mjekët që kanë mbetur, barra psikologjike është e rëndë.
“Disa specialistë janë larguar nga Gaza,” tha Abu Nada. “Por edhe ata që kanë mbetur, ç’vlerë ka një mjek pa mjete?”
“Nuk na mbetet gjë tjetër veçse të ulemi dhe të qajmë pranë pacientit që i mohohet trajtimi dhe udhëtimi.” /mesazhi



