Negociatat klimatike përballë sfidës së realitetit

BON, 18 nëntor /ATSH-AFP/ – Nga tribuna e konferencës së OKB-së për klimin në BON, një banor i Fixhit tregoi shkatërrimin e fshatit të tij, një dëshmi që thekson sfidën jetësore të luftës kundër ngrohjes globale dhe vështirësive që përbën kjo sfidë.

Timoci Naulusala, 12 vjeç, përshkruante, me një anglishte të përkryer, se si ishulli i tij po zhdukej nga harta për shkak të rritjes së ujit të oqeaneve.

Përgjigja ndaj shqetësimeve të Timoci njihet.

“Ndryshimi klimatik është aty. Është i rrezikshëm. Dhe është në pikën që të bëhet edhe më keq”, thekson klimatologu Johan Rockstrom, drejtori i qendrës studimore “Stockholm Resilience Centre”.

Me një gradë Celcius ngrohje të regjistruar që prej periudhës paraindustriale, planeti po përballet me një rritje dhe theksim të thatësirave, valëve të të nxehtit dhe stuhive vdekjeprurëse.

Duke miratuar marrëveshjen e Parisit në vitin 2015, komuniteti ndërkombëtar u angazhua që të mbajë ngrohjen nën nivelin e dy gradë Celcius. Një objektiv i vështirë për t’u arritur, që mund të mos mjaftojë për të shpëtuar Fxhinin dhe dhjetëra ishuj të tjerë.

Në Konventën e OKB-së për klimën në vitin 1992 u vendos që njerëzimi të ndërpresë së hedhuri në atmosferë gaz me efekt serë (GES), që është në origjinë të kësaj ngrohje të pazakontë.

Por u deshën 25 vite për të arritur një marrëveshje, e cila është jashtëzakonisht e pamjaftueshme, pasi angazhimet për reduktimin e gazrave me efekt serë të ndërmarra nga kombet flasin deri tani për të mbajtur temperaturën në +3 gradë Celcius.

Që prej Parisit, kombet e konferencës së OKB-së për klimën, COP (konferenca e palëve), janë përqëndruar në përpilimin e një manuali për aplikimin e traktatit, që do të hyjë në fuqi në vitin 2020.

Burokratik dhe Bizantin

Me kalimin e viteve, proceset burokratike dhe bizantine të këtyre forumeve, ku qindra diplomatë diskutojnë vetëm për një fjalë për ditë të tëra, përpiqen që të jenë në përputhje njëkohësisht me problematikat dhe me atë që disa negociatorë e quajnë “bota e vërtetë”.

Madje drtiarja për të evituar një kataklizmë klimatike është gjithnjë e më e ngushtë.

Gjatë punimeve të filluara në Bon në 6 nëntor, negociatorët mësuan se prodhimi i CO2-it do të rritet me dy për qind në vitin 2017.

“Pas tre vitesh stabilitet, një hap pas për njerëzimin”, sipas shkencëtarëve.

Madje studiuesit paralajmëruan kundër niveleve të temperaturës që përtej të cilave shkrirja e akujve do të çlironte mjaftueshëm uji që niveli i detërave të rritet me disa metra.

Negociatat janë duke u zvarritur edhe në raport me veprimet që duhen ndërmarrë nga qytetet, rajonet dhe sipërmarrjet.

Rreth 7 500 qytete dhe bashkësi kanë vendosur objektivin e reduktimit të prodhimit të CO2-it dhe qindra sipërmarrje botërore janë angazhuar për një botë me karbon të ulët.

Një diplomat evropian kritikon mungesën e dinamizmit mes negociatorëve.

“Kurrë nuk kam parë një COP me një nivel adrenaline kaq të ulët”, thotë ai.

Mads Randboll Wolff, një ekspert danez i bioekonomisë, një disiplinë që nuk ekzistonte para 10 vitesh, kujtohet për fiaskon e COP të Kopenhagenit të vitit 2009.

“E gjithë bota kishte sytë e kthyer drejt tribunës, duke pritur krerët e botës të arrinin marrëveshjen që do të na shpëtonte. Por një prej mësimeve të Kopenhagenit është se negociatat nuk mjaftojnë”, tha ai.

“Ne kemi nevojë për negociatat. Por ne kemi nevojë gjithashtu për shoqërinë civile, njerëzit, qytetarët për të vepruar”, theksoi eksperti.