Negociatorët evropianë paralajmërojnë rënien e marrëveshjes bërthamore me Iranin

Negociatorët evropianë kanë paralajmëruar se marrëveshja ndërkombëtare bërthamore me Iranin mund të dështojë pasi përparimi në bisedimet u ndërpre pas kërkesave të reja nga Rusia.

Moska kërkon garanci që sanksionet perëndimore të lidhura me luftën në Ukrainë nuk pengojnë marrëdhëniet ekonomike dhe ushtarake midis Iranit dhe Rusisë.

Marrëveshja bërthamore, e quajtur zyrtarisht ”Plani i Përbashkët Gjithëpërfshirës i Veprimit” (JCPoA), nuk duhet të shfrytëzohet “për të marrë sigurim të veçantë nga JCPoA”, thanë të shtunën negociatorët nga Gjermania, Franca dhe Britania.

Negociatorët, së bashku me diplomatë rusë dhe kinezë, kanë ndërmjetësuar midis Iranit dhe SHBA për 11 muaj.

“Kjo rrezikon dështimin e marrëveshjes, duke privuar popullin iranian nga heqja e sanksioneve dhe komuniteti ndërkombëtar nga garancitë e nevojshme për programin bërthamor iranian,” thanë ata.

Vendet kanë kërkuar që marrëveshja të përfundohet “me urgjencën më të madhe”.

SHBA kishin dalë nga marrëveshja bërthamore me Iranin, e cila u nënshkrua për të parandaluar Iranin nga zhvillimi i armëve bërthamore, në vitin 2018 nën Presidentin e atëhershëm Donald Trump. /atsh