Sulmet e koordinuara të kolonëve dhe kufizimet ushtarake po çojnë drejt një dëbimi masiv të banorëve vendas
Ndërsa vëmendja globale është përqendruar te lufta e nisur javën e kaluar midis Izraelit dhe Iranit, në terrenin e Bregut të Perënduar po zhvillohet një tjetër dramë e përgjakshme.
Për banorët palestinezë të zonave rurale si Duma dhe Qaryut, rreziku i vërtetë nuk vjen nga raketat në qiell, por nga terrori i kolonëve izraelitë në pragun e shtëpisë. “Kemi raketat në qiell, por kolonët i kemi te dera…” – thotë Thabet, 24 vjeç, për Al Jazeera.
Sipas dëshmive, kolonët po shfrytëzojnë kaosin e luftës rajonale për të përshkallëzuar dhunën me qëllim dëbimin e popullsisë vendase. Që nga shpërthimi i konfliktit të shtunën e kaluar, ushtria izraelite ka izoluar fshatrat palestineze duke vendosur porta hekuri dhe duke ndaluar lëvizjen.
Ndërkohë që palestinezët mbeten të izoluar, pa ushqim dhe mjekim, kolonët lëvizin të lirë dhe të armatosur. Në grupet e tyre të komunikimit bëhet thirrje e hapur: “Është koha për ta dëbuar armikun nga vendi ynë!”.
Të hënën, dy vëllezër palestinezë u vranë në Qaryut nga një grup kolonësh. Aktivistët izraelitë raportojnë për rrahje të të moshuarve, përdorim të spray-it djegës ndaj fëmijëve dhe shkatërrim të pronës.
Një element tronditës është roli i ushtrisë izraelite; dëshmitarët dhe pamjet filmike tregojnë se ushtarët shpesh mbrojnë kolonët gjatë sulmeve. Kur u pyet se pse nuk ndërhynin, një ushtar u përgjigj: “Ne jemi këtu për të mbrojtur hebrenjtë nga arabët”.
Ndërkohë, palestinezët që vetëmbrohen arrestohen menjëherë. Organizatat ndërkombëtare paralajmërojnë për një “efekt domino” të dëbimit të detyruar.
Që nga tetori 2023, mbi 4.000 palestinezë janë shpërngulur dhunshëm. Rasti i fundit është ai i Ra’id Zawahra, shtëpia e të cilit u shkatërrua pasi ushtria e shpalli zonën “zonë ushtarake të mbyllur”, duke larguar aktivistët dhe duke lënë rrugën e hapur për kolonët.
Për këto familje, lufta me Iranin është një zhurmë e largët; tmerri i vërtetë është prania e kolonëve që po fshijnë nga harta komunitetet e tyre. /tesheshi


